Pas vjedhjes së 2.1 milionë eurove, Zafir Berisha nis projektligjin për siguri kibernetike
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka njoftuar se është duke e hartuar Projektligjin për siguri kibernetike.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, MPB’ja ka bërë me dije se është mbajtur takimi i grupit punues për Strategjinë Shtetërorë të Sigurisë Kibernetike dhe Planin e Veprimit 2020-2025.
“Takimin e ka hapur Koordinatori i Strategjisë, njëherazi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zafir Berisha, i cili ka thënë se ngritja e sigurisë është e domosdoshme në të gjitha institucionet publike dhe se tashmë janë bërë plane konkrete të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe teknologjike.
“Me këtë rast, nga grupi punues fillimi i muajit nëntor u përcaktua si objektiv i realizimit të draftit fillestar me qëllimin që t’i hapë rrugë kompletimit të Strategjisë së re. Ministria e Punëve të Brendshme është duke hartuar projektligjin për siguri kibernetike, ku qëllimi i këtij Ligji do të jetë që të përcaktojë parimet e sigurisë kibernetike, parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.