20-04-2024

Pastrimi i hapësirave publike në Prizren, peng i zhbllokimit të prokurimit

Autoritetet komunale të Prizrenit kanë thënë se janë të përkushtuara që problemi me moskontraktim të kompanive për pastrim të tejkalohet sa më shpejt, në mënyrë që hapësirat publike të mirëmbahen. Këtë qëndrim e kanë shprehur të martën mbrëma gjatë vizitës në disa prej miniparqeve të ristrukturuara nga ana e Drejtorisë së Shërbimeve Publike.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, gjatë vizitës në parkun në lagjen “Ortakoll” pas shpjegimit të natyrës së intervenimit në miniparqe respektivisht rinovimin e ndriçimit, ulëseve e shportave për mbeturina ka theksuar se pret zhbllokimin nga OSHP-ja për kontraktimin e kompanive të pastrimit, shkruan sot Koha Ditore.

“Shpresojmë që sa më shpejt edhe OSHP-ja të na zhbllokojë kontraktimin e pastrimit dhe të mirëmbajtjes së hapësirave të gjelbra në mënyrë që edhe këto hapësira të rregullohen me kontratën tjetër që kemi për mirëmbajtjen e parqeve”, ka thënë Haskuka para gazetarëve, duke shfaqur besimin se nuk ka më arsye për zvarritjen e kësaj çështjeje. “Mendoj që shumë shpejt do ta kemi edhe këtë kontratë”, ka thënë Haskuka.

Asnjë koment

Comments are closed.