Pastrohet harku “problematik” i Urës së Gurit
Komuna e Prizrenit ka ndërhyrë në njërin prej objekteve më ikonike të qytetit, Urës së Gurit. Djegia e disa mbeturinave apo mbase edhe të mallit, të deponuar nga shitës në harkun e vogël, solli vëmendjen e institucionit më të lartë lokal.
Harku që me gjasë ishte përvetësuar nga shitës lëvizës, të stacionuar në trotuarin s’kaj urës, kishte të vëna grila nga hekuri, ndërsa ngjante në një depo të vogël, ndonëse në qendër të qytetit dhe në sy të shumë vizitorëve.
Djegia e gjësendeve që ndodhën aty, javën e kaluar për pak sa nuk e dëmtoi njërin nga monumentet kryesore të qytetit, në të cilin bëhen më së shumti fotografi, përfshirë vendësit e sidomos turistët e huaj.
Megjithatë, flakët brenda harkut, lanë vulë të pahijshme për një ditë në anën e majtë, nga drejtimi i rrugës kryesore, në pjesën ballore të urës, që mbajti blozë të zezë, derisa zjarrfikësit ndërhynë për ta pastruar atë që ndodhi.
Pas dëmit të papërgjegjshëm nga djegia, komuna ka vazhduar intervenimin për ta pastruar harkun.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, përmes ‘facebokut’ ka shkruar se harku i urës prej ku nis flaka tani është pastruar tërësisht dhe nga aty janë larguar të gjitha mbeturinat, pastaj kabllot elektrike dhe është bërë izolimi i vendit. “Nga aty janë larguar edhe grilat e hekurta, ndërsa do të shtohet edhe ndriçimi”, ka shkruar ai, raporton “GazetaePrizrenit.net.
Ndërkaq, në kontekstin e mirëmbajtjes pikërisht të këtij harku, tashmë pasi është pastruar duhet të shtohet mbikëqyrja e tij, meqenëse persona të pandërgjegjshëm mund të shihen sërish duke urinuar në këndin e urës, që përmes shkallëve ka qasje nga rruga. Rreziku për keqpërdorime të kësaj natyre vjen sidomos nga fëmijët lypsarë, të cilët tashmë janë të shumtë në numër dhe operojnë në qendër të qytetit.