Paralelja e gjimnazit “Gjon Buzuku” në fshatin Ramajë të Hasit, do të pavarësohet si shkollë amë. Vendimin për ndarje pritet t’ua komunikojë vetë ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyçi, me 12 qershor, transmeton “Gazeta e Prizrenit.net”.
Drejtori komunal për Arsim në Prizren, Skënder Susuri, konfirmoi se qëllimi i vizitës së ministrit në Ramajë është infrastruktura shkollore në gjimnaz dhe pavarësimi i tij.
Kjo shkollë është hapur, në vitin 1997 fillimisht si paralele e ndarë e shkollës së mjekësisë, për të ndihmuar më tepër shkollimin e vajzave të kësaj ane. Në mungesë lokali, mësimi është mbajtur në objektin e shkollës fillore.
Në fillim të punës, kanë kontribuuar vetë banorët e kësaj ane, sidomos kurbetçarët, të cilët si kusht për hapje kishin marrë përsipër sigurimin e pagesës së mësimdhënësve, gjatë sistemit paralel të arsimit shqip, shkruan “Gazeta e Prizrenit.net”.
Ata jo vetëm që e bën këtë, por menjëherë pas luftës mblodhën mjete, duke ndihmuar me 50 përqind të mjeteve, Ministrinë e Arsimit për të ndërtuar objektin aktual dykatësh.
Numri i nxënësve në këtë vatër të diturisë, që ka ndikuar shumë në shkollimin e të rinjve të kësaj ane, e sidomos të femrës, tashmë është rreth 270, prej të cilëve 145 vajza. Numri i femrave është 27 më tepër se sa i djemve, që është 116.
Përpos fshatrave Ramajë, Kushnin, Lugishtë, Dedaj, pastaj Lukijë etj, këtu vijojnë mësimet edhe nxënës nga Lagja e Shehut dhe Marosh të komunës së Gjakovës.
Pas luftës shkolla funksionon në kuadër të gjimnazit “Gjon Buzuku” të Prizrenit.
Në Hasin e Prizrenit, po ashtu ekzistojnë edhe dy paralele të tjera të gjimnazit ajo në Gjonaj dhe në Zym, që është paralele e gjimnazit të përgjithshëm “Remzi Ademaj”, por krahasuar më Ramajën, këto shkolla kanë numër më të vogël të nxënësve.”GazetaePrizrenit.net”.