23-11-2024

PDK: Ftojmë partitë ta votojnë pakon emergjente prej 320 milionë euro

Nënkryetari i PDK-së dhe kryetari i degës në Prizren, Shaqir Totaj ka folur në një konferencë për media lidhur me seancën e nesërme të thirrur nga PDK-ja.

Aty, Totaj ka ftuar të gjitha partitë politike pa dallim, që ta mbështesin pakon emergjente prej 320 milionë euro të propozuar nga PDK sepse adreson nevojat e qytetarëve.

“Sot mbushet një muaj prej përhapjes së epidemisë së koronavirusit në Kosovë dhe gjatë gjithë kësaj kohe kemi parë se qeveria në ikje ka treguar vetëm vonesë, jo përgjegjësi dhe neglizhencë në përballjen me këtë emergjencë. Paaftësia dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie për të përballur luftën kundër pandemisë dëshmohet më së miri nga buxheti i mangët i saj. Ky buxhet u miratua në një seancë të turpshme klandestine, mu në fillim të epidemisë së koronavirusit në Kosovë duke përjashtuar mundësinë që opozita të jepte inpute dhe sugjerime”, ka thënë ai.

Sipas tij, buxheti i qeverisë Kurti nuk ka parashikuar fondet e nevojshme për të përballur këtë sfidë të madhe.

“Madje të gjithë e mbajnë mend se ndërsa ekonomia e vendit po shkonte drejt kolapsit, ministrja e ekonomisë e kësaj qeverie Rozeta Hajdari tha se qeveria kosovare nuk mban përgjegjësi ‘sepse nuk e ka sjellë kjo qeveri koronavirusin’. Duke parë papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e kësaj qeverie dhe rrezikun e madh të kësaj pandemie, Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe opozitare, ka mbajtur një qëndrim konstruktiv proaktiv dhe ka propozuar masa e veprime të bazuara në këshillat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Totaj ka thënë se PDK-ja ka propozuar një paketë emergjente gjithëpërfshirëse prej 320 milionë për t’i ardhur në ndihmë sektorit privat.

“Qeveria reagoi vetëm pas presionit tonë dhe të odave ekonomike, duke propozuar një pako që është e pamjaftueshme. Por ajo që e bën më të rëndë këtë situatë është fakti që këtë pako e ka miratuar ministri në detyrë i financave në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi për menaxhimin e financave publike. Duke u ballafaquar me këtë neglizhencë e shkelje të qeverisë së shkarkuar, PDK-ja ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të bërë të mundshme një pako emergjente për shpëtimin e ekonomisë, në përputhje me ligjet”, ka shtuar tutje ai.

Partia Demokratike e Kosovës propozimin e saj për pakon 320 milionë euro, Totaj thotë se e bazon tek tre burime të sigurta financimi, duke mos rrezikuar stabilitetin makro-fiskal.

Sipas tij, “kjo situatë po gjunjëzon edhe vendet më të zhvilluara të botës, prandaj duhet vepruar sa më parë, sepse vonesat e mëtejshme do të kenë kosto të jashtëzakonshme dhe dëme të pariparueshme për mirëqenien e qytetarëve tanë”.

Totaj tutje shton se pandemia është një armik i përbashkët, dhe për ta përballuar duhet unitet politik të të gjitha partive dhe çdo lëshim që bëhet tani mbart një përgjegjësi morale e historike të jashtëzakonshme.

Asnjë koment

Comments are closed.