23-04-2024

PDK kritika pushtetit komunal të Prizrenit, “për punë të ngutshme pa kritere”

Partia Demokratike, Dega në Prizren në një reagim ka drejtuar kritika ndaj qeverisjes komunale, për siç thuhet investime në kohë fushate parazgjedhore.

Në një kumtesë, të shoqëruar edhe me disa foto, thuhet se pushteti i drejtuar nga Vetëvendosje në Prizren ka bërë punë të ngutshme, ndërsa është bërë edhe asfaltim pa asnjë kriter, madje me shtylla elektrike në mes të rrugës.

Kumtesa e PDK-së:

“Si subjekt politik, këtë shqetësim e kemi ngritur pa e ditur se shumë shpejtë do të kemi zgjedhje dhe se qytetarët do të kenë mundësi të ballafaqohen me këto probleme edhe vetë.

Jemi dëshmitarë se ditët e fundit për qëllime fushate u bënë shumë përurime të projekteve të papërfunduara, vetëm e vetëm që të thonë se ky pushtet po punon. Por, besojmë se populli ka kuptuar se projektet janë obligim i qeverisjes lokale, por është e pandershme që të mashtrohet qytetari me promovime të projekteve të papërfunduara.

Me këtë rast do t’i cekim disa fakte. Në Romajë të Hasit para tre ditë u përurua Qendra e Mjekësisë Familjare ende e pakompletuar.

Gjithashtu gjatë ditëve të fushatës zgjedhore, nga pushteti i Vetëvendosjes po bëhen edhe shumë punë tjera të ngutshme, vetëm e vetëm që ta mashtrojnë votuesin. Shembull tipik është ai në Lagjen “Dardani”, asfaltimi u bë pa asnjë kriter, dhe siç shihet në foto, shtylla ka mbetur në mes të asfaltit.

Qytetarët e Prizrenit i kanë ende të freskëta premtimet vetëvendosjes dhe asgjë nuk u realizua nga ato.

Të dielën do të dalim në votime dhe pastërtia është nën çdo nivel. Nuk ka rrugë të qytetit ku mbeturinat nuk shihen nëpër qytet. Qentë endacak janë shumuar, duke vrapuar pas mbeturinave që po grumbullohen në mes të qytetit dhe qytetarët kanë frikë të shëtisin edhe ditën, se për natën as që bëhet fjalë nga mbeturinat dhe nga qentë endacak.

Kryetari i Komunës së Prizrenit,  Mytaher Haskuka, me muaj të tëra ka akuzuar padrejtësisht PDK-në për kapje të OSHP-së, ndërsa tani del e falënderon OSHP-në dhe gjithashtu rezulton se PDK-ja nuk paska qenë fajtore. Përkundër të gjithave, edhe pas nën shkrimit të kontratës me përmbajtjen e pastërtisë në qytet gjendja është alarmuese.

Natyrshëm lind pyetje,sido të dalim të dielën të votojmë, kur rrugët janë të mbushura me mbeturina?”. Zyra për informim e PDK-së Prizren

 

Asnjë koment

Comments are closed.