PDK kritika pushtetit: Shkatërrimi i Prizrenit në emër të “NDRYSHIMIT”
Dega e PDK-së në Prizren ka hedhur kritika ndaj pushtetit në Prizren.
Në një komunikatë për medie, ndër të tjera ky subjekt ka përmendur çështjen e tepricës buxhetore të pushtetit lokal, ku thuhet se për 4 vite vlera e mjeteve të kthyera rreth 30 milion euro.
Komunikata e plotë:
Qytetit të Prizrenit dhe qytetarëve tanë përveç uljes së kualitetit të jetës, degradimit të jetës publike, kulturore, artistike dhe qytetit të ngelur prapa e të pazhvilluar, poashtu për 4 vite i’u është mohuar shfrytëzimi i buxhetit të komunës, VV-ja me Mytën kanë kthyer në Prishtinë për 4 vite rreth 30 milion EURO suficit buxhetor. Përveç kësaj në media të ndryshme po qarkullojnë lajme se suficiti buxhetor për 4 vite mund të jetë 40 milion Euro por për shkak të jotransparancës që e karakterizon qeverisjen lokale në Prizren, nuk ka informata të sakta dhe precise.
Vetëvendosja në krye me Z. Haskuka kanë ardhur në pushtet duke proklamuar ndryshimin dhe po vazhdojnë të fokusojnë gjithë daljet e tyre publike dhe fushatën në emër të ndryshimit, ndryshimi në Prizren është fakt që ka ndodhur, por NDRYSHIM NEGATIV; degradim, dështim dhe dëmtim i imazhit të qytetit tonë historik, mbi të gjitha dhe mohim i shfrytëzimit të afër 30 milion EURO-ve të komunës që i’u takojnë qytetarëve të Prizrenit.
Prizreni në këtë verë të vitit 2021, në fund të mandatit të Kryetarit e Qeverisjes Lokale të dështuar, është i mbuluar nga mbeturinat, shumë projektet kapitale të filluara para më shumë se 4 vitesh nga PDK-ja janë akoma të pambaruara, rrugët janë në gjendje skandaloze, lagje të ndryshme në qytet kanë probleme me ujë e kanalizim e shumë problematika me nepotizëm e korrupsion e karakterizojnë qytetin e Prizrenit – e “qershia mbi tortë” janë paratë e tepruara në komunë, thuase qyteti është duke lulëzuar e nuk i duhen investime, paratë e Prizrenit kthehen në Prishtinë!
Keqqeverisja e Haskukës, mungesa e kapaciteteve menaxhuese financiare e Kryetarit dhe stafit të tij dhe jofleksibiliteti që i karakterizon duke qenë jobashkëpunues me opozitën; ka sjell gjendjen alarmante financiare, duke mos ditur të shfrytëzohen kapacitetet financiare që i posedon komuna.
Kësaj qeverisjeje lokale të lajthitur po i vjen fundi, në Tetor 2021 qytetarët e Prizrenit duhet të ndëshkojnë degraduesin dhe ekipën e tij duke e dërguar në shtëpi, pasiqë Prizreni dhe qytetarët e këtij qyteti meritojnë qeverisje të dinjitetshme, transparente dhe efikase.