03-12-2024

PDK kritikon Haskukën për shkatërrim të trashëgimisë

Dega e PDK-së në Prizren, ka shprehur shqetësim, për siç thuhet në lidhje me veprimet e jashtëligjshme,  të cilat po bëhen nga ana e Komunës së Prizrenit, në mënyrë të përsëritur, veçanërisht në objekte dhe zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore.

Në komunikatën e këtij subjekti, thuhet se së fundmi, Komuna e Prizrenit, ka rrënuar disa shtëpi të vjetra, të cilat gjenden në zonë me mbrojtje ligjore, pa e përfillur asnjë procedurë legale, siç janë të parapara me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, si dhe Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.

“Qeverisja lokale e udhëhequr në mënyrë anadollake, nga një Kryetar që nuk kupton përgjegjësitë ligjore të tij, deri sa ishte në opozitë, shfaqej para qytetarëve me lot krokodili, dhe me përbetime për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Prizren”, thuhet në komunikatë.

 

PDK vlerëson se, siç po shihet në mënyrë të përsëritur, këta po veprojnë me shkelje të hapur të ligjit, duke cenuar rëndë vlerat e kësaj trashëgimie, në një mënyrë të pa ndodhur më herët, duke vendosur precedente të reja të rrezikshme të refuzimit të bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për trashëgimi kulturore.

“Para disa ditësh, veprime të jashtëligjshme dhe të palogjikshme, janë ndërmarrë edhe në Urën e Gurit, ku Komuna, ndërmerr veprime dhe ndërhyrje në monumente, kur dihet se legjislacioni në fuqi, e ndalon cilindo subjekt për të vepruar pa leje të shkruar”, thuhet në komunikatë.

PDK i ka ftuar organet përgjegjëse, veçanërisht prokurorinë, policinë dhe inspektoratin e trashëgimisë kulturore, që duke u bazuar në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, dhe dispozitat përkatëse të nenit 363,  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore, duke vepruar në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore, përmes veprimeve konkrete, duke vënë para përgjegjësisë akterët e këtyre akteve.

 

Asnjë koment

Comments are closed.