19-04-2024

PDK zgjedh kryetarin e ri

Partia Demokratike e Kosovës, të dielën më 16 qershor, do të mbajë Konventën e nëntë zgjedhore, ku do të zgjidhet kryetari dhe strukturat e reja drejtuese të partisë.

Por, PDK-ja, sipas të gjitha gjasave, do të vazhdojë të udhëhiqet nga po i njëjti lider, gjegjësisht nga kryetari i tanishëm, Kadri Veseli, pasi ai do të jetë i vetmi kandidat për të parin e kësaj partie në Konventën zgjedhore që do të mbahet nesër.

Këtë e ka konfirmuar për Koha.net, nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ai thotë se sipas rregullave të brendshme të partisë, koha e paraparë për shpalljen e kandidaturës ka përfunduar dhe se kandidat i vetëm është Kadri Veseli.

“Sipas rregullave tona të brendshme dhe rregullores për zgjedhje dhe në bazë të statutit, ka qenë koha e paraparë për shpalljen e kandidaturave dhe e vetmja kandidaturë e shpallur deri më tani është e Veselit”, thotë ai.

Krasniqi ndër të tjera ka thënë se, procesi i brendshëm zgjedhor i partisë ka qenë shumë i hapur dhe se gjithçka ka shkuar mirë.

“Ne e kemi pasur një proces që ka qenë shumë i hapur ku kanë marrë pjesë 29 mijë anëtarë në procesin zgjedhor në rreth 1100 nëndegë. Ka pasur garë të hapur në shumicën dërmuese të këtyre nëndegëve, një proces ku na janë bashkangjitur me mijëra e mijëra anëtarë të rij të cilët në të kaluarën kanë mundur të jenë simpatizantë të PDK-së apo të partive tjera por që nuk kanë qenë aktivë”, ka thënë ai.

Krasniqi thotë se janë të inkurajuar nga pjesëmarrja e madhe dhe nga përqafimi i konceptit të ‘Dekadës së Re’ që ka qenë platforma e këtij procesi zgjedhor.

Ai thotë se nesër do të mbahet Konventa e përgjithshme nga e cila do të dalin strukturat e reja udhëheqëse të partisë.

“Nesër ky proces përmbyllet me Konventën e përgjithshme zgjedhore ku diku rreth 800 delegatë që kanë marrë besimin e kolegëve të tyre në degët prej nga vijnë dhe do të zgjedhin edhe kryetarin e partisë edhe Këshillin Drejtues të organit më të lartë ndërmjet dy konventave si dhe do të miratohet, besoj, statuti i ri i PDK-së, programi politik i cili do të propozohet nesër si dhe një deklaratë politike pas përfundimit të Konventës”, ka shtuar ai.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë po ashtu se zgjedhjet e brendshme të partisë kanë përfunduar në muajin maj, ndonëse është dashur që ato të kryhen në muajin prill.

Kujtojmë se Kadri Veseli ishte zgjedhur kryetar i PDK-së në maj të 2016-ës, në Konventën e shtatë zgjedhore në të cilën ishte po ashtu kandidat i vetëm për kryetar.

Zgjedhja e Veselit kishte ardhur pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i kreut të PDK-së pasi ky i fundit ishte zgjedhur president. Thaçi është themelues i PDK-së dhe ishte kryetar i saj që nga themelimi./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.