03-10-2024

Më pak lindje në pjesën e parë të vitit në Prizren

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, në qendrën spitalore të Prizrenit,  si numri i lindjeve ashtu edhe i të porsalindurve ka shënuar rënie, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Gjatë periudhës janar-maj, në maternitetin e Prizrenit numri i të porsalindurve ka qenë më i ultë për 57 sosh, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, kur në jetë kanë ardhur 1.328 fëmijë.

Gjatë kësaj kohe ka shënuar rënie edhe numri i lindjeve gemellare (binjak), por nuk ka dallime të mëdha në shifra, pasi sivjet është vetëm një rast më pak. Në librin e repartit janë të regjistruara 10 raste të tilla.

Sipas Teuta Gurgushkës, nga reparti obstetrik (salla e lindjes), sa i përket gjinisë, karakteristikë është se për nga numri prijnë djemtë, krahasuar me vajzat, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Kështu sivjet janë regjistruar 639 foshnja të gjinisë mashkullore, apo 20 më shumë se sa femra.  Numri i djemve të lindur ka qenë më i madh në raport me vajzat edhe vitin e kaluar.

Karakteristikë tjetër, sipas raportit një e treta e lindjeve janë “cezariane” (me operim). Kohët e fundit madje shifrat tregojnë se rastet e tilla po shkojnë drejt rritjes./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.