Prizren: Mbrojtja kërkon hudhjen e aktakuzës në rastin e dy zyrtarëve të KRM “Eko-Regjioni”

Salih Shala në cilësinë e menaxherit dhe Basha në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë Rajonale për Mbeturina (KRM) “Eko-Regjioni”, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare duke mos zbatuar procedurat e prokurorimit të bëhet shtyrja e mbeturinave në deponin sanitare “Trokan” në Dragash, duke i shkaktuar KRM “Eko-Regjioni” dëm në vlerën prej 2 mijë e 700 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësit e të akuzuarve kanë thënë se kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave i kanë paraqitur me shkrim dhe të njëjtat i kanë elaboruar në pika të shkurta.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Krasniqi ka thënë se aktakuza e prokurorisë nuk është e mbështetur në prova për veprën penale për të cilën akuzohet i mbrojturit i tij dhe se i njëjti personalisht asgjë nuk ka përfituar dhe se në mungesë të provave të hudhet aktakuza e prokurorisë.

Gjithashtu, ai tha se në cilësinë e të dëmtuarit e as të dëshmitarit nuk është dëgjuar KRM “Eko Regjioni”.

I akuzuari Shala ka thënë se pajtohet me qëndrimet e mbrojtësit të tij.

Kurse, mbrojtësi i akuzuarit Basha, avokati Gutaj ka thënë se veprimet për të cilat akuzohet i mbrojturi i tij kanë qenë veprime të cilat janë në interes të komunitetit dhe “Eko Regjionit”.

Po ashtu, ai tha se ndaj punës së të mbrojturit të tij Basha nuk ka pasur ankesë nga askush dhe se prokuroria nuk ka ndërmarrë veprime hetimore që të vërtetoj se kush është i dëmtuar.

I akuzuari Basha ka thënë se pajtohet me mbrojtësin e tij dhe ka shtuar se gjykata do të vërtetoj se veprimet e tij kanë qenë në shërbim të qytetarëve.

Tutje, prokurori Metush Biraj ka propozuar që në cilësi të dëmtuarit të ftohet përfaqësuesi i autorizuar i KRM “Eko Regjioni”.

Ai ka thënë se pretendimet e mbrojtjes nuk qëndrojnë dhe se provat në të cilat mbështetet aktakuza janë të ligjshme.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha ka thënë se lidhur me kundërshtimet e provave dhe hudhjen e aktakuzës gjykata do të vendos jashtë seancës.

Ndryshe, aktakuza ndaj të pandehurve Salih Shala dhe Nehat Basha është ngritur më 22 dhjetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda.

Sipas dispozitivit të parë të kësaj aktakuze të akuzuarit Salih Shala dhe Nehat Basha, po ngarkohen se si persona zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare e pastaj i tejkalojnë autorizimet zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që të i shkaktojnë dëm tjetrit.

Tutje në aktakuzë thuhet se, i akuzuari Salih Shala në cilësinë e menaxherit të KRM “Eko-Regjioni” në Prizren – Njësia në Dragash, me datën.27.08.2019, i bënë kërkesë të akuzuarit Nehat Basha, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KRM “Eko-Regjioni në Prizren, që jashtë procedurave të prokurimit të bëhet shtyrja e mbeturinave në deponin sanitare “Trokan”, në Dragash, të cilën kërkesë ky i fundit e miraton më 28 gusht 2021, me ç’rast kompanisë gjegjëse i shkakton dëm material prej 2.700 euro.

Për këto veprime, Shala dhe Basha po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragraf 1 lidhur me neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Nehat Basha po akuzohet se si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar të kryeshefit ekzekutiv të KRM “Eko-Regjioni”, Sh.A, në Prizren, i tejkalon kompetencat me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për veti ose për tjetrin apo t’ua shkel të drejtat personave tjerë.

Tutje në aktakuzë thuhet se, në periudhën kohore 01.01.2019 e deri me 01.08.2020 në kundërshtim me nenin 8 të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës, i dekretuar me datën 18.11.2010, pa shpallur konkurs publik, lidh kontrata pune për kohë të pacaktuar ose kontrata pune për detyra specifike, me personat Agim Muçaj, Gilbehar Kurtai, Zgjim Kryeziu, Ylli Pirkuqi, Majlinda Gërguri dhe Luljeta Kastrati-Mustafa

Me këto veprime Basha po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragraf 1 të KPRK./BetimipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.