20-04-2024

“Penallti” për opozitën në Prizren

Shkruan: Qazim Morina

Veprimi që këtë javë ndërmori kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka për ndërprerjen e marrëdhënies së punës në pozitat udhëheqëse të disa drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave në mënyrë selektive e pa konkurs, duke emëruar në vend të tyre si ushtrues detyre mësimdhënës pa kritere e pa trajnimin për menaxhim, trazoi skenën politike të Prizrenit.

Pakënaqësinë ndaj një veprimi të tillë, dhe në këtë gjendje situatë, në një takim në Prizren, u raportua që Haskukës t‘ia ketë shprehur edhe Ministri i Arsimit, Ramë Likaj.

Gjendja u përkeqësua, pasi disa nga të emëruarit nuk pranuan të paraqiten për të marrë pozitën në këtë formë, ndërsa disa drejtorë deklaruan se nuk do ta lirojnë vendin, pa marrë njëkohësisht edhe kontratën e paraparë për sistemimin në vendin e ri të punës.

Veprimi i Haskukës shihet si një nxitim pa analizë,  por i servuar nga teke të këshilltarëve të tij, pasi është vepruar në mënyrë selektive.

Në katrahurën e krijuar dhe në veprimet e drejtuesve të Arsimit në Prizren, ka shkelje ligjore, të cilat në vete ngërthejnë edhe elemente të veprave penale, për të cilat duhet veprojë hetuesia.

Padyshim, kjo situatë shkon në favor të opozitës dhe kjo konsiderohet një “penallti” për të, natyrisht nëse di ta shfrytëzojë momentin dhe forcën politike që ka.

Veprimi i tillë ndaj drejtorëve, paksa ka ndikuar në zgjimin e opozitës së fjetur të Prizrenit, pasi reagimi i tyre përfundoi vetëm me deklarata shtypi. Kjo tregon se opozitës i mungon strategjia për këtë çështje. Përkundër gjendjes katastrofike në arsimin prizrenas, që pothuajse prej vitesh ka shkuar drejt përshkallëzimit, opozita nuk e pa të arsyeshme koordinimin e  veprimeve në të mirë të përmirësimit të gjendjes.

Opozita  (PDK-LDK-AAK-Nisma), që në organin më të lartë, Kuvendin Komunal (KK) ka jo vetëm shumicën apo 2/3 e ulëseve, por edhe kryesuesin e saj, nuk e ka shfrytëzuar mundësinë e formimit të një komisioni për çështjen e arsimit, jo vetëm për ta monitoruar gjendjen, por edhe për të propozuar masa konkrete.

Subjektet opozitare kanë komisione për arsim, por asnjëri nuk doli me ndonjë plan konkret për përmirësimin e gjendjes në këtë fushë.

Deri tash është parë se veprimet e opozitës janë “ad-hoc”, pa strategji për mobilizim të qytetarëve për t’i aktivizuar ata, që të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes.

E gjithë kjo sjell dyshimin, nëse opozitarët janë seriozisht të përkushtuar për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, apo me mosveprim po marrin një pjesë nga faji i pushtetit.  Parashtrohet pyetja, nëse në mosveprimin e opozitës po ndikojnë interesat personale të asamblistëve, që ditë më parë e potencoi edhe shefi i grupit të AAK-së, Ilir Baldedaj.

Po ashtu,  gjatë tërë kohës është vërejtur një mungesë e veprimeve konkrete edhe nga OJQ -të rreth çështjes së degradimit të arsimit në Prizren.

As Këshillat e prindërve, të cilat kanë kompetenca ligjore për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor në shkolla nuk ndërmorën diçka të dukshme.

Një barrë për gjendjen e krijuara bie edhe tek vetë mësimdhënësit, të cilët përkundër kualifikimeve superiore, përvojës e trajnimeve, përfshirë edhe atë për menaxhim shkollash, po tolerojnë këtë gjendje.  Në bisedat me ta, shfaqen pakënaqësi të shumta për gjendjen e krijuar, por ato rrallë i paraqesin publikisht, qoftë edhe në mbledhjet e këshillit të arsimtarëve, ku zërat kritik janë të paktë.

Nga tërë kjo shihet se gjendja ka shkuar aq larg sa kërkohet veprim i shpejtë dhe energjik, nga gjithë akterët për ta ndalë degradimin e mëtejmë, në të mirë të fëmijëve, aq më tepër në këtë situatë, ku siç dihet pandemia është reflektuar shumë në mbarëvajtjen e procesit arsimor.

Asnjë koment

Comments are closed.