Pengmarrja e banorëve të Kushninit e Kabashit, plaçkitjet e shtëpive dhe djegia e tyre nga ushtria (2)
Shkruan: Qazim Morina
(Pjesa II)
Duke rënë muzgu, banorët e grumbulluar i kanë vendosur në dy dhoma të mëdha (sallone), në qendër të fshatit. Gratë dhe fëmijët i vendosën në odën e Idriz Sylve (Temaj), ndërsa burrat në atë të Bajram Shaban Jahdautit, ku në një dhomë tjetër afër, qëndronin edhe eprorët serbë, të cilët merrnin në biseda informative disa nga banorët. Përmes presionit e maltretimit, në fokus ishin pyetjet rreth veprimtarisë, prijësve dhe lëvizjeve të UÇK-së.
Fshatarët ishin kërcënuar se në rast të ndonjë reagimi nga UÇK do të ekzekutoheshin të gjithë.
Disa pleq, për shkak të moshës së shtyrë kishin mbetur nëpër shtëpi. Kështu ka ndodhur edhe në fshatin e afërt në Kabash, ku forcat serbe ishin vendos në hyrje të fshatit, respektivisht në lokacionin ku tashmë ndodhet shkolla.
Në Kushnin ishte arrestuar Rexhep Avdi Shatri, ndërsa në Kabash, Rrahman Bajram Kabashi, të cilët më pas ishin torturuar tmerrësisht.
Nata kishte kaluar me frikë e presion, sidomos të fëmijëve e femrave. Më keq ishte për fëmijët, që mbetën pa ushqim për 24-orë, andaj të qarat e lemeritë e tyre preknin nënat, duke bërë ngjarjen edhe më të trishtueshme. Për të vëzhguar terrenin gjatë natës, ushtria vazhdimisht përdorte reflektorë lëvizës.
Në mëngjes, ushtarët në këmbë filluan aksionin e bastisjes në çdo shtëpi e dhomë. Dëgjoheshin edhe të shtëna. Qentë që reagonin vriteshin. Bagëtia ishte lënë e lirë, për të bërë dëme në arat e mbjella.
Pos plaçkitjes së gjësendeve me vlerë, si stolive të arit, parave të gatshme (Marka gjermane), si dhe duhanit e alkoolit, ushtarët dogjën shtëpinë e Feti Reshyt Temajt, ndërsa ia vunë flakën edhe asaj të Asallan Morinës dhe Odës së burrave të Imer Avdi Shatrit, por që pas largimit të serbëve, menjëherë intervenuan banorët, duke shuar zjarrin, që s’kishe marrë hov. Në Kabash dogjën shtëpinë e Bajram Rr. Kabashit.
Në disa shtëpi dogjën mullarët dhe stallat me ushqim kafshësh. Shiu i imtë i asaj dite të zymtë mbështillej me tymin që mbulonte fshatrat.
Plaku Gani Temaj (tashmë i ndjerë) ka treguar se ishin të pambrojtur. “Luteshim vetëm të shpëtonin fëmijët, ndërsa nuk kishim informata se çfarë po ndodhte me gratë”, ka kujtuar ai.
Nga banorët si përfaqësues ishte zgjedhur ish-mësuesi, Rexhë Morina. Duke ditur gjuhën nga shërbimi ushtarak dhe mentalitetin serb, ai tregon se tërë natën ishte përpjekur t’ua shpjegonte eprorëve se bëhej fjalë për njerëz civilë.
Rasti i ishte paraqitur në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prizren.
Aksioni kishte zgjatur deri në mbrëmje, pra 24 orë. Me të rënë muzgu forcat serbe u tërhoqën, duke lënë pas rrëmujë, zjarre nëpër disa stalla bagëtish si dhe ankthin e një dite të frikshme.
Për të vazhduar torturat, ata u ndalen në fshatin e afërt, Romajë.
Duke kujtuar ngjarjen, Rexhep Shatri, thotë se kur e kanë arrestuar është përshëndet me bashkëshorten, bile e ka heq unazën e martesës, pasi nuk ka besuar se do të shpëtojë, ndërsa gjatë intervistimit eprorët interesoheshin kryesisht për UÇK-në dhe udhëheqjen e saj në fshat, si dhe për atë se çfarë kërkonte këtu ky si banor i Pejës ( ku punonte si furrtar), ndonëse në letërnjoftim shkruante vendlindja Kushnin.
Ai thotë se bashkë me Rrustem Kabashin dhe një person nga fshati Gërqinë e Hasit, pas mbajtjes fillimisht në Kushnin, pasditen e 20 shtatorit i kanë dërguar në Ramajë, ku tërë natën i kanë mbajtur në një kosh misri, diku tek një shtëpi afër shkollës, ku qëndronin edhe eprorët serbë.
Pasdite me të përfunduar aksionin në Ramajë, këta së bashku me 30 persona të tjerë nga ky fshat i kanë dërguar në kazermën e ushtrisë në Prizren.
“Rrugës nën presionin e armëve na detyronin t’i mbajmë të ngritur 3 gishtërinj (simbol serb). Në kazermë na kanë rrahur e torturuar rëndë. Torturuesit dyshoj se kanë qenë mercenarë, që vepronin nën uniformën e ushtrisë. Të dërmuar fizikisht më kanë liruar të nesërmen, duke më urdhëruar të paraqitem sërish në Shtëpinë e Armatës ( ku tash ndodhet ndërtesa e Kuvendit Komunal “Shtëpia e Bardhë”v.j). Atë tmerr se harroj kurrë, ndërsa pasojat i vuaj edhe sot, pasi kam probleme me këmbën”, shprehet Rexhep Shatri.
Nesër shkrimi për Skenarin e njëjtë të torturave në fshatin Ramajë
Lexo edhe:
Pengmarrja e banorëve të Kushninit e Kabashit në Has nga Ushtria jugosllave, më 1998