27-07-2024

Pensionistët do të marrin nga 15-34 euro më shumë në muaj

Qeveria e Kosovës gjatë javës së fundit ka paralajmëruar se në kuadër të projektimit të buxhetit për vitin 2019 do të rriten pensionet prej 15 deri në 20 për qind nga pensioni bazë.

Përfaqësues të pensionistëve në Kosovë e vlerësojnë të konsiderueshme këtë rritje, duke shtuar se një veprim i tillë ka qenë i domosdoshëm.

Rritja e pensioneve është paralajmëruar publikisht gjatë një takimi të zhvilluar ndërmjet ministrit të Financave, Bedri Hamza, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe përfaqësuesve te Lidhjes së Pensionistëve.

Nisur nga deklaratat e bëra pas atij takimi, Hasan Berisha, sekretar në Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës thotë se tashmë dihen edhe përqindjet e premtuara për rritje.

“Ministri i Financave ka konfirmuar se rritja e pensioneve ka hyrë në kuadër të buxhetit 2019. Për pensionet e pleqërisë, të cilët kanë marrë 75 euro pensionet, vitin tjetër pensioni do rritet për 20 për qind”.

“Ndërsa për pensionet kontribut-pagues shuma mujore do rritet për 15 për qind. Baza e pensionit kontribut-pagues është 158 euro deri në 240. Ne jemi të kënaqur me një hap të tillë edhe pse është një korrigjim i vogël, por i domosdoshëm, sepse pensionet në periudhën e pasluftës nuk kanë qenë ekuivalent me meritat”, thekson Berisha.

Sipas një përllogaritje ende jozyrtare, i bie se pensionet e pleqërisë, ata që marrin nga 75 euro aktualisht, me buxhetin e ri do të marrin 90 euro. Kurse pensionistët kontribut- pagues nga shuma prej 230 eurove, do të marrin 34 euro më shumë në muaj./Radio Evropa e Lirë.

Asnjë koment

Comments are closed.