25-04-2024

Përfundon mbrojtja e dy gjeodetëve të Prizrenit të akuzuar se kanë bërë ndarjen e tokës pa lejen e njërit vëlla

Me dhënien e mbrojtjes së akuzuarës Luljeta Rizanaj, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren ka përfunduar procedura e provave në shqyrtimin ndaj pandehurve Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj, të cilët po akuzohen se në cilësi të gjeodetëve kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Prokuroria po pretendon se të akuzuarit kanë bërë ndarjen e parcelave pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit nga katër bashkëpronarët Gjek Gjevlekaj, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjevlekaj.

Në seancën paraprake, në cilësi të akuzuarit kishte dhënë mbrojtjen Bajram Selmani, mirëpo për shkak të përfundimit të orarit të punës nuk ka mundur që të përfundohet edhe me dëgjimin e të akuzuarës Luljeta Rizanaj.

“ Betimi për Drejtësi”, raporton se e akuzuara Rizanaj në mbrojtjen e saj deklaroi se në deklaratën e saj të dhënë në polici kishte treguar për punën teknike, rrjedhën se si dorëzohet lënda dhe si përfundon në gjeodezi dhe kadastër.

Ajo deklaroi se zyrtari përgjegjës i caktuar për kontrollim të lëndës nënshkruan në kërkesën apo aplikacionin e palës dhe se këtë kërkesë e posedon dhe është në zyrën e kadastrit. Ajo tha se lënda konkrete i është ndarë asaj nga Drejtorit dhe sipas rregullave të punës kishte bërë evidentimin në regjistrin e fletëparaqitjes dhe po ashtu në pjesën grafike kadastrale MAP për të dy parcelat.

Ajo tha se pasi që lënda ishte arkivuar, një zyrtar policor kishte ardhur dhe ka kërkuar lëndën dhe ka thënë se njëri prej nënshkrimeve të bashkëpronarëve është falsifikuar, por që në fakt aty s’ka pasur falsifikim të nënshkrimit por vetëm ka munguar një nënshkrim dhe theksoi se eprorët e saj ishin të njoftuar me rastin pasi që lëndën ia kishte dorëzuar juristit Basri Begaj, pasi që edhe ai kishte kërkuar lëndën e vëllezëve Gjevlekaj, raporton “ Betimi për Drejtësi”

Ajo tutje shtoi se vet nuk ka mundur që të anuloj vendimin, pasi që anulimi i vendimit bëhet përmes kërkesës së palës dhe atëherë bëhet kthimi në gjendjen e mëparshme dhe sipa saj, është detyrë e palës që të vij në zyrën e gjeodetit të licencuar që të merr dokumentacionin, aktvendimin dhe fletën poseduese me gjendjen e re të parcializuar të ngastrave.

E akuzuara Rizanaj deklaroi se me një kërkesë tjetër për bashkimin e parcelave e cila duhet të jetë e kompletuar me nënshkrimin e të gjithë bashkëpronarëve mund të bëhet kthimi në gjendjen e mëparshme apo bashkimi i parcelave dhe se me këtë ndarje nuk është dëmtuar asnjëri prej bashkëpronarëve, pasi që është ndarë në pjesë ideale prej 1/4 .

Ndryshe, sipas aktakuzës pandehuri Bajram Selmani, gjeodet i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij, në kundërshtim me kornizën e punës të Agjencionit Kadastral të Kosovës, për standardizimin e matjeve kadastrale, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, nga fshati Karashëngjergj në Komunën e Prizrenit, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj, në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave 488 dhe 518 ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç ‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.

Për të pandehurën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, gjeodete në Drejtorinë për gjeodezi dhe kadastër, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e saj, ashtu që me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Rizanaj si gjeodete bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.

Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij, e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin 07-942/05-176194/T, më 12 shkurt 2018.

Me këto veprime, sipas aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë

Asnjë koment

Comments are closed.