22-11-2024

Përjetime të trishta të një maturanti-ushtar

Shkruan: Msc. Arton Ahmetaj

13 maji i 1999-s në Korishë

As sot nuk mund ta kujtoj saktë nëse atë natë, të largët për nga koha, por të freskët në kujtesë, morëm urdhër apo vërshuam instinktivisht nga pozicionet tona që të gjithë të futeshim në fshat, nën rrebeshet e pandërprera të mitralozëve të serbëve, që ishin të pozicionuar në disa pika. Ulërimat e çjerra trishtuese në kor të njerëzve, që digjeshin dhe përpiqeshin për të shpëtuar, do të na i këputnin këmbët. Me të hasur në grupin e parë të civilëve, që kishin arritur të shpëtonin e të dilnin nga ngujimi, do t’i merrnim e dërgonim në istikamet tona.

Isha vetëm njëri nga ata që po u dilnim në ndihmë të plagosurve nga bombardimi i popullatës së futur në kurth nga serbët, në zonën e kamufluar si bazë të tyre ushtarake.

Teksa po bartja në shpinë një fëmijë të plagosur (që kërkonte ujë duke rënkuar) ligështia e mundimi m’i kishin prerë këmbët, të cilat sikur kishin sharruar deri në gjunjë në dhé, ndonëse toka në atë pjesë ishte gurore.

Fasha nga rrobat për të plagosurit

Edhe sot e asaj dite, më rrëqethet trupi nga kundërmimi i atëhershëm i mishit të pjekur të njeriut. Rrobat e trupit do t’i bënim fasha për gjymtyrë të gjakosura.

Të plagosurit, të tërhequr nga ushtarët e UÇK-së të Batalionit të Dytë (Batalioni i Kabashit), të Brigadës 125 të ZOP-së së Pashtrikut, do të rrëfenin se pas bombardimit dhe shpërthimit të rrethimit nga njerëzit që iknin nga aty, ishin gjuajtur me plumba vazhdimisht nga pozicionet e serbëve.

 

Sakrifica për një gjymtyrë më shumë…

Sikur të mos mjaftonte kjo, një betejë po zhvillohej edhe në Spitalin e Prizrenit. Me anë të ndërmjetësuesve ishte arritur një pajtim i zorit, që të mbijetuarit të bashkoheshin për trajtim me grupin tjetër, që ishin mbledhur nëpër livadhet aty përreth apo që kishin përfunduar të shkapërderdhur nëpër Lubizhdë e Dardani në Prizren. Shumica nuk dinin se ku i kishin familjarët, ashtu si ai djali që e kisha bartur atë natë. Ai kishte dalë i vetëm nga ai kamp rrethimi me turmën, i mungonin edhe tre anëtarët e ngushtë të familjes… Pas dorëzimit të të plagosurve Spitalit të Prizrenit (institucion ky krejt i huaj në atë kohë për shqiptarët), aty filloi masakrimi i dytë i të mbijetuarve. I gjymtuan. Ua hoqën krahët, ua shkurtuan këmbët për një gërvishtje. Një moshatar imi (tash ndodhet në Zvicër) tregonte se e kishte shpëtuar këmbën me 100 markat që i kishte dhënë një mjeku aty.

Ndërmjetësuesit e ngjashëm edhe i kishin mashtruar popullatën e shkretë në male që të zbrisnin dhe kundrejt një pagese prej 40 markash për person do të dilnin në Shqipëri. Në rast se nuk do të shkonin, do të kishte një ofensivë nga forcat serbe dhe kushdo që do të gjendej do të vritej, edhe pse granatimet dhe gjendja jetë a vdekje ishin thuajse të përditshme.

E nesërmja e natës së kobshme

Diku nga ora 7 e mëngjesit gjatë turnit të vëzhgimit, që kisha nga pika vëzhguese “Guri i madh”, dylbitë do të kapnin dy kamionë të higjienës së qytetit, të cilët po bartnin e kamuflonin diçka, për t’u larguar për në deponinë e mbeturinave, e cila digjej vazhdimisht me intensitet të madh thuajse gjatë tërë bombardimeve të NATO-s. Sigurisht pushtuesi do të kujdesej edhe për propagandën, duke sjellë media të njohura botërore!

Në vendin e bombardimit pastaj do të vinin vetura të Kryqit të Kuq dhe të organizatave të tjera.

Për dikë ishte ditë e zakonshme pune…

P. S Në foton e nënvizuar autori si ushtar i UÇK-së

 

Asnjë koment

Comments are closed.