24-11-2024

Përkujtohen 77 martirët e Korishës (FOTO)

Në 20-vjetorin e rënies së 77 martirëve të Korishës u kërkua drejtësi për të gjitha krimet në Kosovë të kryera nga shteti serb.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ndihet mirë që Kuvendi i Kosovës ka iniciuar rezolutën që kërkon dënimin e gjenocidit serb.

Fotografia e Rexhë Ukaj

“Kur je në Korishë, Kabash e rrethinë ndihesh i nderuar që je në një trevë të rezistencës, sakrificës, heroizmit dhe të një bastioni të fuqishëm të UÇK-së. Sot kujtojmë me pietetin më të lartë, respektin më të lartë dhe nderimin më të lartë shtetëror të gjithë martirët e Korishës më rrethinë që ranë para 20 vjetësh. Edhe martirët në Korishë e dëshmorët janë produkt i drejtpërdrejtë i dhunës sistematike të organizuar nga shteti i Serbisë, fëmijë e pleq, civilë shqiptarë u vranë në rrethana që i imponoi shteti i Serbisë, në rrethana qe i detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre nga oborret e tyre.

Edhe kjo masakër dhe martirët në Korishë janë direkt viktima të gjenocidit të shtetit të Serbisë, të spastrimit etnik nga Serbia. Unë ndihem mirë që më në fund Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vendosur të gjithë të bashkuar që të lëvizin me nxjerrjen e një rezolute dhe dokumenteve të tjera pasuese që qartë e dënon gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë dhe kërkon nga të gjitha instancat ndërkombëtare që në fund të vihet drejtësia”, tha ai.

Fotografia e Rexhë Ukaj

Në emër të familjarëve të martirëve foli Hasan Ahmetaj, i cili tha se 13 maji ishte natë e kobshme dhe gjithmonë do të mbetet e tillë. “Kërkojmë drejtësi për të gjitha krimet e luftës dhe i themi jo pajtimit me Serbinë pa dorëzuar trupat e të zhdukurve dhe pa u dënuar. Ne nuk do ndalemi derisa institucionet tona të kërkojnë përgjegjësi për çdo të vrarë të pafajshëm”, tha ai. Në emër të Këshillit Organizativ foli Rexhë Ukaj, i cili tha se edhe në këtë 20-vjetor ndjenjë dhimbje që humbën 77 më të dashuritë e tyre, ndërsa kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka premtoi se së shpejti kompleksi memorial ku prehen ata do të marrë pamjen që e meriton. /KosovaPress/

Fotografia e Rexhë Ukaj

Fotografia e Rexhë Ukaj

Asnjë koment

Comments are closed.