Përkujtohet ish-kuvendari prizrenas, Masar Shala

Në gjashtë vjetorin e vdekjes, kryetari i PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj e ka përkujtuar veprimtarin Masar Shala, duke e vleresuar si njeri me integritet, parime dhe ndjenjë të lartë të përgjegjësisë.

Shala ishte anëtar i Kuvendit Komunal dhe i Kryesisë së PDK-së në Prizren.

“Veprimtaria e tij ishte bindje dhe përcaktim për lirinë e vendit”, shkruan Totaj.

Postimi i plotë i Totajt:

Masar Shala, njeriu që dha kontribut me vlerë.

Sot u mbushën 6 vjet, kur veprimtari Masar Shala shkoi në jetën e përjetshme.
Në vitet ’90, Masari ishte aktiv në Parlamenti Rinor, Partinë Parlamentare e KLMDLNJ. Gjithashtu kontribuoi edhe në aksionin e faljes së gjaqeve, shoqatën “Nëna Terezë”, Këshillin për Emergjencë dhe veprimtari të tjera të kohës.

Ishte njeri me integritet, parime dhe ndjenjë të lartë të përgjegjësisë. Veprimtaria e tij ishte bindje dhe përcaktim për lirinë e vendit. Bashkëveproi me shumë veprimtarë, ndër ta edhe me Remzi Ademajn e Xhevat Berishën (tash Heronj të Kosovës), si dhe me Ismail Kryeziun (Dëshmor i Kombit).

Nga qershori 1999 ishte pjesë e Qeverisë së Përkohshme Komunale në Prizren. Mbi supet e tij bie drejtimi i normalizimit të gjendjes në fazën emergjente të pasluftës.

Ishte i zgjedhur si anëtar i Kuvendit të Komunës, në të gjitha legjislaturat e pasluftës. Besimin e qytetarëve e përdori për të shërbyer në funksion të interesit të përgjithshëm të qytetarëve dhe nuk i devijoi parimet.

Ishte ideator dhe kontribuues për ngritjen e Monumentit të Paqes, kushtuar Trupave të NATO-së në Prizren, i cili shpreh falënderimet e popullit, për Aleancën Veriatlantike. U zgjodh kuvendari më i angazhuar në Kuvendin e Komunës.

Zëri i Masarit po i mungon Kuvendit.

Kuvendi i Komunës së Prizrenit, në shenjë të vlerësimit të veprës së tij, vendosi që një rrugë në qytet dhe Çmimi për Demokraci i Komunës, të mbajnë emrin e Masar Shalës.