14-12-2024

Përmbaruesit privat i hiqet licenca, Haxhiu: Po ndodh për herë të parë, Komisionit disiplinor ia kemi lënë duart e lira

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi sot se për herë të parë kanë marrë vendim që një përmbaruesi t’i liqet licenca.

Përmes një konference për media, Haxhiu tregoi se Komisioni Disiplinor për përmbarues privat në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka konstatuar se përmbaruesi privat në vazhdimësi ka kryer shkelje disiplinore.

“Është hera e parë që dje një përmbaruesi privat ia kemi hequr licencën. Komisioni Disiplinor për përmbarues privat në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, me rastin e shqyrtimit të kësaj çështje, ka gjetur se përmbaruesja private ka kryer shkelje disiplinore në mënyrë të përsëritur ka marrë vendim për shkarkim nga detyra”, u shpreh ajo.

Ministrja tutje tha se një vendim i tillë po ndodh për herë të parë, sepse “Komisionit ia kemi lënë duart e lira”.

Ajo nuk pranoi të japë më shumë detaje lidhur me rastin, pasi tha se vendimi do të publikohet shumë shpejt në webfaqen e ministrisë.

“Është rasti të kuptojnë të gjithë se ata që punojnë në kundërshtim me ligjin, s’mund t’i kryejnë detyrat që ia ka besuar shteti i Kosovës. U bëj thirrje qytetarëve që të raportojnë rastet e keqpërdorimeve nga përmbaruesit privatë apo noterët”.

“Kemi shumë ankesa nga qytetarët për përmbarues dhe noterë. Do të bashkëpunojmë me odat për përmbarues dhe noterë, por i thërrasim të jenë në shërbim të qytetarëve në disiplinimin e përmbaruesve dhe noterëve”, përfundoi Haxhiu. /Telegrafi/

Asnjë koment

Comments are closed.