23-04-2024

Përplasje në KQZ, Valdete Daka detyrohet ta mbyllë mbledhjen

Kërkesa e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, drejtuar Institutit Kombëtar të shëndetësisë Publike rreth mundësisë mbajtjeve të zgjedhjeve në Podujevë dhe veri të Mitrovicës, ka shkaktuar përplasje në mbledhjen e sotme të KQZ-së, për çka pastaj kryetarja e ka shpallur mbledhjen e mbyllur.

Në mbledhjen e sotme, u bë i ditur edhe dekreti i Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve në këto dy komuna më 29 nëntor, komuna këto në të cilat për shkak të situatës me pandeminë, zgjedhjet ishin shtyrë për një afat të pacaktuar.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se kërkesat drejtuar institucioneve të tjera mund të shkojnë vetëm me vendim të KQZ-së në të kundërtën kërkesat personale nuk protokollohen, siç edhe ka ndodhur ditë më parë me kërkesën e Sami Kurteshit dhe Alim Ramës.

Lexo edhe:

Gjykata dhe përmbaruesit ia marrin afro 2.9 milionë euro Komunës së Prizrenit

Të dy, i janë drejtuar IKShP-së me kërkesë që të analizojë situatën me pandemi dhe të rekomandojë mbajtjen ose jo të zgjedhjeve, por nuk kanë marrë përgjigje.

Lidhur me këtë çështje, Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës, akuzoi anëtarët e Vetëvendosjes së kanë bërë presion ndaj Sekretariatit të KQZ-së.

Elshani: Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë presion në Sekretariat

“Unë personalisht jam njoftuar, por edhe anëtarët e tjerë lidhur me presionin që është bërë nga dy anëtarët e KQZ-së, në këtë rast nga Lëvizja Vetëvendosje, ndaj kryetare kërkoj edhe nga ju që të dilni në mbështetje të respektimit të udhëzimit administrative lidhur me komunikimin e brendshëm dhe të vendoset një standard dhe të respektohet një standard o komunikimit brenda gjithë anëtarëve të KQZ-së bashkë me sekretariatin. Të bëhet një qartësim se kush e çka ka bërë presion”, tha ai.

Pas kësaj, Daka kërkoi që të ruhet distanca në mes të anëtarëve të KQZ-së dhe Sekretariatit.

Daka: Anëtarët e KQZ-së të ruajnë distancën me sekretariatin

“Kish me qenë mirë që të gjithë anëtarët, pa dallim, të ruajnë distancën me sekretariatin dhe mos ta keqpërdorin pozitën si anëtar të KQZ-së si anëtarë që janë të ftohen në takime anëtarët e sekretariatit dhe në çfarëdo mënyre të shqetësohen dhe të u bëhen, nuk po them kërcënime, por biseda. Nuk kisha dashtë me vazhdue me këtë çështje”, tha ajo.

Kjo shkaktoi përplasje fjalësh në mbledhje ndërkohë Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje tha se po bëhen akuza kriminale.

Kurteshi: Akuza kriminale të KQZ-së

“Kjo është akuzë kriminale e KQZ-së. Kush ka shku prej anëtarëve të KQZ-së nëpër zyre. Keni me tregu a ka shku Sami Kurteshi në ndonjë zyre me diskutu për çfarëdo çështje”, tha Kurteshi.

Kjo përplasje ka bërë që shefja e KQZ-së të mbyllë mbledhjen para se të shqyrtohen të gjitha pikat që ishin paraparë në rendin e ditës.

Paraprakisht, në mbledhjen e sotme kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se presidenti ka dorëzuar dekretin për mbajtje ne zgjedhjeve në Podujevë dhe veri të Mitrovicës për datën 29 nëntor.

Për këtë, Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje kritikoi presidentin, meqë siç tha ai është dashur të konsultojë partitë politike.

Kurteshi: Dekreti për mbajtjen e zgjedhjeve është shpallur pa konsultim me partitë politike

“Kemi ardhur në një gjendje kur është shpallë dekreti, edhe pse dekreti është shpallë pa konsultim me partitë politike, sipas ligjit për zgjedhjet lokale, edhe ato të përgjithshme, neni 4 paragrafi 1, presidenti duhet të konsultohet me partitë politike e jo me KQZ-në. Kjo është bërë si gjithmonë që bëhet, shpallje në mënyrë jo transparentë, kundërligjshme”, tha ai.

Ndërsa Daka tha se pas këtij vendimi, KQZ duhet të nisë organizimin e zgjedhjeve, për çka i kërkoi kryeshefit të Sekretariatit të tregojë se ku duhet vazhduar me këtë proces, meqë zgjedhjet ishin anuluar në mars për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Daka: Presidenti ka shpallë zgjedhjet, ne duhet t’i organizojmë

“Presidenti ka shpallë zgjedhjet dhe nuk kemi çka të diskutojmë më, të vetmen gjë që mund ta diskutojmë është si me i organizua këto zgjedhje, asgjë tjetër, a ka pasur të drejtë apo kush ka pas të drejtë mos të diskutohet”, tha ajo.

Por, Alim Rama nga Lëvizja Vetëvendosje vazhdoi të kundërshtoi zgjedhjen e Burim Ahmetaj në krye të Sekretariatit.

Rama: Nuk e shoh të arsyeshme që Burim Ahmetaj të marrë rolin e kryeshefit

“Nuk po e shoh të arsyeshme që Burimi të marrë rolin e kryeshefit në mungesë të kryeshefit, sipas detyrës përcaktohet si duhet vepruar në mungesë të kryeshefit”, tha ai.

Por, Daka tha se deri në marrjen e një vendimi nga organet kompetente që vendosin për ankesat, Ahmetaj do të vazhdojë punën kryeshef, meqë siç tha ajo, ai është zgjedhur me shumicë votash në KQZ.

Daka: Nuk mund të lejoj monolog e dialog, më lejoni të mbajë mbledhjen

“Më lejoni të përfundoj mbledhjen ju thash pikat e rendit të ditës caktohen në mënyrë të përcaktuar me rregullore mbi punën e KQZ-së, në momentin kur propozoni që një pikë të futet në rend të ditës në takim votohet dhe nëse i merr votat futet në rend të ditës. Rendi i ditës është votuar. Të vazhdojmë mbledhjen, në mbledhjen tjetër nëse keni ndonjë propozim e votojmë. Ju lutëm, unë dialog dhe monolog nuk mund të lejoj, më lejoni të kryejë mbledhjen, a bën t’a vazhdoj mbledhjen, më leni ta vazhdoj mbledhjen”, tha Daka.

Ndërsa Ahmetaj bëri të ditur se pas vlerësimeve që ka bërë Sekretariati i KQZ-së, në nuk ka nevojë për buxhet shtesë për mbajtjen e zgjedhjeve në komunën e Podujevës.

Ahmetaj: Nuk ka nevojë për buxhet shtesë për mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë

“Pas vlerësimit nga Sekretariati i KQZ-së konsiderojmë se nuk ka nevojë për buxhet shtesë në komunën e Podujevës, mirëpo janë disa aktivitete të cilat pothuajse i kemi konsumuar për shembull në raport me transportin e materialit zgjedhor, duhet të gjejmë një mënyrë si t’a kompensojmë këtë transport në bazë të procedurave, apo nëse ka nevojë për buxhet shtesë, mirëpo e thash më herët që për buxhet shtesë në komunë ne Podujevës nuk ka nevojë”, tha ai.

Mbledhja e sotme e KQZ-së u përcoll me tensione në mes të anëtarëve, çka shkaktoi edhe përfundimi ne saj pa u shqyrtuar të gjitha pikat e rendit të ditës./rtk

Asnjë koment

Comments are closed.