24-11-2024

Përplasje për ndërtimin ose jo të një objekti shumëkatësh mes monumenteve në ish-zonën “Farmakos” në Prizren

Ministria e Ambientit nuk e ka përfillur vendimin e Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prizrenit rreth një ndërtimi shumëkatësh midis monumenteve historike në këtë qytet.

Kjo ministri kishte aprovuar ankesën e biznesit kundër vendimit të Komunës, raporton KTV.

Procedura ka vazhduar me dërgimin e lëndës në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore, e cila këtë lëndë ia ka përcjellë Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Instituti, në tetor të vitit të kaluar, kishte marrë vendim që ta aprovojë projektin ideor për kompleks afarist – banesor.

Megjithatë, organizata “Ec ma ndryshe” është shprehur kundër ndërtimeve në këtë zonë.

Drejtuesit e saj thonë se praktika e moskoordinimit ndërinstitucional, sikurse edhe mosunifikimi i procedurave mes tyre, po krijon rrethana të pafavorshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në këtë qytet.

Megjithatë, më datën 8 të këtij muaji, për arsye ende të panjohura, ka rënë zjarr në ish-parcelën e kësaj fabrike.

Ndërtesa e cila gjendet në këtë parcelë është ndërtuar gjatë viteve 1923-1929 dhe ka shërbyer si Stacion Bakteriologjik, e më vonë është quajtur Enti i Shëndetit Popullor.

Asnjë koment

Comments are closed.