Persona fiktivë tentuan të paraqiten si viktima në rastin kundër Mustafës
Si viktima në krimet që pretendohet së janë kryer nga ish-eprori i UÇK-së në Zonën e Llapit, Salih Mustafa, kanë aplikuar disa persona.
Pa të dhëna konkrete e pa dëshmi, siç janë dokumentet e identifikimit, katër persona të cilët pretendojnë që janë pjesë e një familjeje kanë aplikuar për të marrë statusin e viktimave në Zyrën për Pjesëmarrjen e Viktimave.
Tri aplikime sipas shkresave të Speciales janë dorëzuar nga i njëjti aplikacion.
Një tjetër, sipas dokumenteve, paraqiti një aplikim tjetër.
Asnjëri nga ta nuk përcolli dokumente që kërkohen ligjërisht për t’u pranuar aplikimi për viktimë. Kjo, sipas ZPS-së, bëri që t’u refuzohet kërkesa për statusin e viktimës.
Pjesëmarrja e viktimave në procedura është e paraparë në rregullin 113 të Rregullores së Procedurave dhe Provave, dokument i barasvlershëm me Kodin e Procedurës Penale.
Në këtë dokument përcaktohet që paraqitësi i kërkesës duhet të japë prova për dëmin e pësuar si rezultat i drejtpërdrejtë i një vepre penale të përfshirë në aktakuzë.
Salih Mustafa është i akuzuari e ai arrestuari i parë i Gjykatës Speciale. Ai po mbahet në paraburgim që nga shtatori i vitit të kaluar si i akuzuar për krime lufte, raporton KTV.