Pika e përbashkët doganore Shqipëri–Kosovë do të materializohet!
Ministri i Financave dhe i Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, është shprehur se pika e përbashkët e kalimit kufitar me Kosovën në Morin të Kukësit do të jetë një nga pikat më të mira, qoftë në aspektin kufitar të policisë, qoftë në aspektin e tregtisë.
Pika e përbashkët doganore Shqipëri-Kosovë do të materializohet pas tre muajsh, pasi Parlamenti i Kosovës të miratojë në rrafshin politik marrëveshjen për pikën e kalimit të përbashkët me Shqipërinë në Morin të Kukësit, shkruan sot Koha Ditore.
“Pika e përbashkët doganore dhe e kalimit kufitar është investim i IPA dhe i paraprin pikës së përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, qoftë për pjesën e policisë, qoftë doganës, që ne besojmë se do ta materializojmë në dy-tre muajt e ardhshëm. Ndërkohë që, me doganën fillojmë në 2019-n gjithë investimin për zgjerimin e parkimit. Parkimi sot është shumë i vogël dhe ka krijuar handikap serioz logjistik në këtë pikëkalimi. Në 2019-n do ta heqim atë problematikë dhe besoj kjo do të jetë një nga pikat më të mirat kufitare qoftë në aspektin e policisë, qoftë në aspektin e tregtisë, që edhe me logjikën që edhe Bankën Botërore po na promovon për fasilitimin e tregtisë”, deklaroi ministri Ahmetaj.