20-04-2024

Policia arrestoi në flagrancë dy fajdexhinj në Krushë të Vogël

Policia e Kosovës ka bërë arrestimin e dy personave nga Krusha e Vogël si të dyshuar se kanë kryer veprat penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘kanosje’.

Personat e arrestuar lidhur me këtë rast janë I. M. (1976), dhe K. M. (1997).

“Të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë, nga njësitet policore, duke pranuar paratë-fajdenë prej 2000 eurove”, thuhet në njoftim.

Nga të dyshuarit në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar:

2000 euro para të gatshme, një veturë, një pistoletë me 17 fishekë dhe dy telefona celularë dhe disa dokumente/kontrata të huadhënies

“Gjatë bastisjes në shtëpitë e dy të dyshuarve në fshatin Krushë e Vogël në Prizren janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë gjuetie me 26 fishekë, tri pistoleta me 120 fishekë, një laptop, bereta italiane me 2 karikatorë,bereta 9 mm me një karikator, zastava TT me dy karikatorë, pushkë automatike e llojit dhe kalibrit të panjohur, me 3 karikatorë dhe fletore me shënime dhe dokumente tjera relevante”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Pas intervistimit, dy të dyshuarit, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për kryerjen e veprave penale ‘fajde’, ‘detyrim’, ‘kanosje’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës’.

Asnjë koment

Comments are closed.