Policia po e kërkon që 10 ditë për tentim vrasje, i dyshuari kthehet në Prizren dhe kanos tre të mitur
Demokrat Morina, i njohur me nofkën “Llaseri” tash e dhjetë ditë është duke u kërkuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se ka tentuar të vrasë një person, duke e lënë të plagosur, më 23 nëntor në rrugën “Latif Berisha” në Prizren.
Ndonëse, policia nuk po arrin ta gjejë atë, raportohet se ai ende gjendet në Prizren.
Lexo Edhe:
Për më tepër, burime të Sinjalit kanë bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme “Llaseri” ka kryer një kanosje me armë zjarri në këtë qytet.
Ai ka kërcënuar me armë zjarri tre të mitur dhe është larguar në drejtim të paditur.
Madje për këtë rast, policia ka njoftuar edhe sot në raportin 24-orësh.
“Rr. Ibrahim Rugova, Prizren 01.12.2020-16:18. I dyshuari mashkull kosovar ka kanosur me armë zjarri tre viktima të mitur meshkuj kosovarë të cilët i kishte ndjekur me armën e tij. I dyshuari është larguar në drejtim të panjohur dhe gjendet në arrati. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.
Se bëhet fjalë për Demokrat Morinën e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.
Demokrat Morina dyshohet për një tentim vrasje që ka ndodhur më 23 nëntor rreth orës 11:35 në Prizren, gjatë të cilës plagosi me armë zjarri në këmbë një person.
Ai ndodhet në arrati që nga ajo ditë dhe policia është në kërkim të tij.
Nga Policia e Prizrenit kanë thënë se i dyshuari ka të kaluar kriminale.