Policia: Tre të sulmuar fizikisht gjatë rrënimit tek “Abi Çarshia”
Policia e Kosovës ka dhënë disa sqarime rreth rastit të djeshëm të lëndimit të tre personave, që ka ndodhur në qendrën tregtare ‘Abi Çarshia’ në Prizren, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.
Në raportin 24-orësh të policisë, thuhet se dje pasdite përderisa inspektorët komunal ishin duke rrënuar një objekt të ndërtuar pa leje, pronarët e objektit të dyshuarit, (K-Shqiptarë), së bashku me disa punëtorë kanë sulmuar fizikisht dy meshkuj dhe një femër (K-Shqiptarë).
“Viktimat kanë pësuar lëndime trupore. Një zyrtar policor është lënduar gjatë tentimit për të qetësuar situatën. Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, ka bërë të ditur se ishin sulmuar aktivistët e saj, Rinor, Rigon e Muhamet Kadriqeli, Hysen Pllava dhe Mimoza Bushrani, të cilët siç është thënë kishin qëlluar rastësisht për t’u furnizuar aty.
Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt. /GazetaePrizrenit.net