26-04-2024

Ponte pëson humbje nga Bashkimi

Ponte Prizreni ka regjistruar humbjen e parë pas një serie prej shtatë fitoreve rresht. Ponte të enjten në palestrën “Sezai Surroi” të Prizrenit, u mposht nga rivali i qytetit, Bashkimi me rezultatin 71:66 në ndeshjen e xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Me këtë fitore, Bashkimi ngrihet në kuotën e 20 pikëve dhe mbetet në pozitën e pestë në tabelë derisa Ponte Prizreni është i dyti me 22 pikë të mbledhura.

Për Ponte Prizrenin, kjo ishte humbja e katërt këtë edicion.

Sean Hoehn ishte më i dalluari te Bashkimi me 19 pikë, i përcjellë nga Endrit Hysenagolli me “double-double” prej 15 pikëve e 20 kërcimeve.

Me lojë të mirë te Bashkimi u veçuan edhe Musab Mala (14) e Julian Hamati (12 pikë, 19 kërcime).

Në anën tjetër, te Ponte Prizreni vetëm tre basketbollistë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore. Arti Hajdari me 25 pikë të shënuara ishte më i dalluari, i përcjellë nga Xavier Cannefax (18) dhe Urim Zenalaj që shtoi dhjetë pikë e po aq kërcime./k.net

Asnjë koment

Comments are closed.