20-04-2024

Pos zyrtarëve kroat, Haskuka takon edhe deputeten e diasporën shqiptare

Prizreni dhe Komuna e Osijekut të Kroacisë diskutojnë mundësitë e thellimit të bashkëpunimit, përfshirë edhe aplikimin e përbashkët për fondet e BE-së, ndërsa kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, gjatë vizitës në Kroaci ka qëndruar edhe në Zagreb, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.

Prizreni e Osijeku janë të binjakëzuara, ndërsa prej dy dite, për një vizitë atje po qëndron Haskuka me bashkëpunëtorët e tij.

Ai njoftuar se në Osijek është takuar me kryetarin e Komunës, Ivica Vrkic, ku ndër të tjera ka biseduar për aplikim të përbashkët për të përfituar nga fondet e ndryshme të Bashkimit Evropian, në të cilat Osijeku ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në vitet e kaluara.

“Pos kësaj, shikuam edhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore dhe zgjidhjen e problemeve të ndryshme edukative, ku do të mund t’i shkëmbenim përvojat”, ka shkuar në “facebook” Haskuka.

Ai ka thënë se me zyrtarët e kësaj komune është dakordur që ta finalizojë një listë të projekteve, me të cilën do të aplikohet për fondet e BE-së, së bashku edhe me qytetet e tjera të binjakëzuara.

Do theksuar se pas Zagrebit, Splitit dhe Rijekes,  Osijeku është qendra më të madhe.

Edhe këtu ndërkaq, punojnë e jetojnë disa shqiptarë nga Kosova e rajoni i Prizrenit, që prej vitesh ushtrojnë ose zejen e bukëpjekësve ose atë të argjendarisë.  Në Osijek ekziston edhe Këshilli i Minoritetit Kombëtar Shqiptar.

Delegacioni nga Prizreni në Zagreb është takuar edhe me deputeten shqiptare të Parlamentit të Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj, që ka prejardhje nga Zymi i Hasit. Në takim kanë qenë edhe bashkatdhetarë që punojnë dhe në Kroaci.

Haskuka është shprehur se duke ditur që ka një popullatë të numërt që jeton atje, sidomos nga Prizreni, i cili ka një diasporë shumë të madhe në çdo pjesë të Kroacisë, këtë nuk e kemi shfrytëzuar gjithaq për të krijuar më shumë lidhje.

“Me Zagrebin duhet të kemi një bashkëpunim më të ngushtë. Në aspektin historik, siç e tha edhe z. Mikuliç, edhe shqiptarët kanë marrë pjesë në luftën për pavarësinë e Kroacisë. Po edhe ne kemi pasur një ndihmë shumë të madhe nga Kroacia në aspektin e lobimit për pavarësinë dhe pas pavarësisë së Kosovës. Besoj se kjo nuk është kthyer në bashkëpunim të kënaqshëm ekonomik. Bashkëpunimi ynë duhet të jetë shumë më i mirë dhe shumë më i ngushtë”, ka thënë ai.

Sipas Haskukës hapi i ardhshëm do të jetë edhe krijimi i një Ode Ekonomike kroate, apo edhe një vizitë e biznesmenëve së bashku me Presidentin kroat në Kosovë, duke shpresuar të vijnë edhe në Prizren”, ka thënë ndër tjera Haskuka, duke falënderuar diasporën shqiptare atje, për punën dhe për kontributin e ndërsjellë mes dy vendeve. /gazetaeprizrenit.net/.

 

Asnjë koment

Comments are closed.