25-04-2024

Pranojnë fajësinë të akuzuarit për tentim vjedhje në qendrën tregtare në Malishevë

Të akuzuarit për veprën vjedhje në tentativë, Hamdi Stolliqi dhe Urim Stolliqi, e kanë pranuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Pasi që aktakuza u lexua nga prokurori i shtetit Nazmi Krasniqi, të akuzuarit u deklaruan të fajshëm  për veprën penale me të cilën ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ata thanë se janë penduar për veprën e kryer dhe se në të ardhmen nuk do të kryejnë më vepra penale, duke shtuar se kjo që ka ndodhur ishte një gabim.

Prokurori Krasniqi nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve, pasi sipas tij pranimi i fajësisë ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës, duke kërkuar nga gjykata që të akuzuarin ta dënojë sipas ligjit, duke e marrë për bazë rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parapara me Kodin e Procedurës Penale.

Më pas, gjyqtari Njazi Morina e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuare, derisa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të bëhet më 1  tetor 2020, në orën 15:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 23 prill 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Hamdi Stolliqi dhe Urim Stolliqi sepse më 30 dhjetor 2017 rreth orës 16:00  në qendrën tregtare “VIVA FRESH” në Malishevë tentojnë të kryejnë vjedhje me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit paraprakisht merren vesh mes veti dhe hyjnë brenda qendrës tregtare, ashtu që shkojnë tek sektori i veshmbathjeve dhe vjedhin një palë xhinse, tri palë trenerka, dhe një palë mbathje, dhe të gjitha këto në vlerë prej 88.86  euro, duke u larguar pa bërë pagesën.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në përpjekje për tu larguar kapen tek dera e marketit nga punëtori i sigurimit, ashtu që sendet e vjedhura u sekuestrohen dhe i kthehen të dëmtuarës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.