05-10-2024

Pranon fajësinë, dënohet me kusht i akuzuari për vjedhje të rrymës në Rahovec

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim me tre muaj burgim dhe 200 euro gjobë me kusht për të akuzuarin për veprën penale “vjedhje të shërbimeve komunale”, Rexhep Vuçitërna.

Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari Vuçitërna nuk kryen vepër tjetër penale.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur, duke shtuar se dëmi i shkaktuar është paguar në tërësi.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Anton Hasanaj.

Gjykatësi Shabani, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 12 mars 2018, ndaj Rexhep Vuçitërna, duke e ngarkuar atë me veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri nga data e pavërtetuar e deri më 07 tetor 2017, në shtëpinë e tij në Rahovec, në mënyrë të kundërligjshme ka shfrytëzuar energjinë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se për t’i sjell vetit përfitime pasurore të kundërligjshme, për rreth kapakut të njehsorit elektrik ka vendosur shiritin filmik, gjendje kjo e konstatuar nga Qendra e Kalibrimit, e me këtë veprim energjia e shpenzuar nuk është regjistruar, ku me këtë rast të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 203.54 euro. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.