25-04-2024

Pranon fajësinë inxhinieri i pylltarisë në Prizren

I akuzuari Izet Osmanaj, ka pranuar fajësinë lidhur me akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Osmanaj e ka bërë në seancën e shqyrtimit të dytë të mbajtur këtë të hënë në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E pranoj fajësinë duke kuptuar natyrën dhe pasojën e pranimit të fajësisë për veprën penale për të cilën akuzohem”, tha Osmanaj.

Prokurorja Ariana Shajkovci, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari duke vlerësuar se është bërë konform dispozitave ligjore. Ajo i ka propozuar gjykatës që të njëjtin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit.

Lidhur me pranimin e fajësisë, mbrojtësi i të akuzuarit Osmanaj, avokat Sylë Hoxha, i propozoj gjykatës që të akuzuarit të ia pranoj fajësinë dhe se i njëjti këtë e ka bërë pa kurrfarë presioni apo ndikimi.

Pasi paraprakisht pranimi fajësisë u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi, seanca vazhdoj me fjalën përfundimtare të palëve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Osmanaj, avokati Hoxha në fjalën e tij përfundimtare i propozoi gjykatës që me rastin e shqiptimit të dënimi të mbrojturit të tij ti shqiptojë një dënim sa më të butë.

I akuzuari Osmanaj, deklaroi se pajtohet me fjalë e mbrojtësit së tij dhe se ndjehet thellë i penduar.

Pas dëgjimit të palëve, gjykatësja Elezi tha se shpallja e aktgjykimit të këtij rasti do të bëhet me datë 31 maj 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, me 3 mars 2022, Izet Osmanaj me datë 27 janar 2022, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, inxhinier i pylltarisë pranë Autoritetit Pyjor në kuadër të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komunës së Prizrenit, ka tejkaluar kompetencat e tij duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Bazuar në aktakuzë, i njëjti në ditën kritike pa kaluar në procedurat e tenderimit dhe në kundërshtim me vendimet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, kishte angazhuar kompaninë Sh.p.k “Bredhiku” të bëjë prerjen dhe krasitjen e drunjëve në parkun e qytetit, e cila kompani këto drunjë në sasi prej 43,96 , i dërgon në hapësirat e zonës industriale në Lubizhdë.

Me këto veprime po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragarf 1të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

 

Asnjë koment

Comments are closed.