19-04-2024

Pranon se falsifikoi dokumentin noterial, aktgjykimi shpallet më 31 gusht

E akuzuara Doruntinë Krasniqi e ka pranuar fajësinë për falsifikimin e dokumentit noterial.

Deklarimi i saj ka ndodhur të enjten, në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore të Gjakovës, dega në Malishevë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E pranoj fajësinë, është hera e parë që kam kryer vepër penale, nuk do ta përsërisë më dhe kërkoj falje para gjykatës”, tha e akuzuara Krasniqi, pasi fillimisht aktakuza u lexua nga prokurori Enis Gashi.

Pranimin e fajësisë e ka mbështetur edhe mbrojtësi i të akuzuarës Krasniqi, avokati Halim Shala, i cili kërkoi nga gjykata dënim sa më të butë, duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe benifitet e pranimit të fajësisë.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar as i dëmtuari Murtez Jaha, i cili deklaroi se sa i përket dënimit për të akuzuarën, ia lë gjykatës në vendosje, ndërsa kompensimin e dëmit do të vendosë më vonë se a do ta kërkoj.

Me pranimin e fajësisë është pajtuar edhe prokurori Enis Gashi, i cili më pas u aprovua nga gjykatësi Njazi Morina.

Shpallja e aktgjykimit u caktua të bëhet më 31 gusht 2021, në ora 15:25.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 qershor 2020 nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, Doruntinë Krasniqi akuzohet se në vitin 201&, në fshatin Kijevë të Malishevës, kishte falsifikuar dokumentin publik duke e shfrytëzuar atë si origjinal.

Në aktin akuzues thuhet se veprën e ka kryer në atë mënyrë që e akuzuara Krasniqi, me 9 korrik 2019, shkon në zyrën e noterit Murtez Jahaj dhe kërkon nga i njëjti që t’ia lëshon një autorizim duke ia prezantuar një autorizim paraprak të datës 11 dhjetor 2017, me pretekst se e njëjta do të udhëtojë jashtë vendit me djalin e saj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të marrë i dëmtuari autorizim e prezantuar nga e akuzuara, konstaton dhe vërteton që autorizimi paraprak i prezantuar nuk ishte lëshuar nga ana e tij dhe i njëjti ishte falsifikuar, me ç’rast i dëmtari-noteri Jahaj menjëherë e paraqet rastin në polici.

Më këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit” nga neni 398, paragrafi 2 të KPRK-së, e cila vepër dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.