Prapakthim fatal, në vend të marrëveshjes përfundimtare tani do të diskutohet për Asociacionin dhe kthimin e serbëve në institucione
Nga Afrim Kasolli
Uroj që kthimi i pjesëtarëve të pakicës serbe në institucione të mos shndërrohet tash në një temë të re në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel. Ku ky kthim të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit dhe suspendimin e vendmit për targat.
Të paktën nga reagimet ndërkombëtare ky skenar po duket tejet i mundshëm. Madje, këtë e konfirmoi edhe ambasadori amerikan në Beograd, Ch. Hill, me anë të një interviste, që u publikua edhe në mediat tona. Në këtë mënyrë në vend të diskutimit për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet dy vendeve tash në këmbim të “riintegrimit” të serbëve të Kosovës të ushtrohet presion mbi palën Kosovare ta themelojë Asociacionin. Ky do ishte një prapakthim fatal. Nëse qeveria e Kosovës ka kapacitete ta rregullojë vetëm këtë problem, në rregull. Por ky opsion më duket fantazmagorik në rrethanat aktuale.
Përndryshe, nëse procesi i dialogut tash degjeneron në këtë pikë, atëherë çdo gjë më duket e orkestruar vetëm për t’i ikur përgjegjësisë politike me synim shmangjen e bisedave për marrëveshjen përfundimtare. Ky objektiv taktik nuk ka si realizohet ndryshe, pos duke shpikur tema të vogla për ta heshtur temën e madhe. Dhe në këtë mënyrë futemi edhe në një odiseadë të re të dialogut fundi i së cilës nuk shihet askund.