Prej sot do të fillojë mësimi i kombinuar edhe për klasat 7, 8, 9 dhe 11, 12.
Pas 6 muajsh edhe nxënësit e këtyre klasave i janë rikthyer mësimit në bankat shkollore.
Drejtoria e Arsimit në Prizren ka përzgjedhur skenarin B të mësimit, pra me kombinim të mësimit me prezencë në shkollë dhe online, raporton Gazeta e Prizrenit.
Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka thënë se udhëheqësit e shkollave mund të vendosin ndryshe nëse vlerësojnë se ka rrezik nga COVID-19. Aty iu ka bërë thirrje të gjithëve për kujdes.
“Nga e hëna (21 shtator 2020), do të kthehen në shkollë me mësim të kombinuar edhe nxënësit e klasave 7, 8, 9 dhe 11, 12, përveçse nëse menaxhmenti i shkollës dhe task forca e secilit institucion, pasi të ketë vlerësuar situatën, mund të vendosin për ndonjë skenar tjetër, në mënyrë që të respektohen strikt rregullat e Udhëzuesit për organizimin e mësimit në kushte pandemie”, ka njoftuar Ministri Likaj.
Secili fëmijë duhet të mbajë maskën, e cila duhet të përdoret gjatë gjithë kohës në ambientet shkollore.
Sikur kudo në Kosovë edhe në Prizren, institucionet arsimore janë mbyllur në muajin mars, kur u paraqiten edhe rastet e para me coronavirus, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Mësimi më pas është zhvilluar përmes platformave online dhe mësimeve të transmetuara në televizionin publik. /GazetaePrizrenit.net