23-11-2024

Prizren: A është në krizë koalicioni VV-Nisma-NDS?

Zhvillimet e fundit në Prizren, duken sinjal se koalicioni i qeverisjes lokale udhëhequr nga Vetëvendosje-LDK-Nisma dhe partitë e komuniteteve ndodhet në krizë, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.

Anulimi i konkursit për drejtorë të shkollave nga ana e kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka dhe votimi i Draft Kornizës Afatmesme Buxhetore Komunale (KAB)  2019 -2021, që paraqet njërin nga dokumentet më të rëndësishme të komunës,  në seancën e sotme të Kuvendit të Komunës është treguesi më i mirë se gjërat kanë filluar të ndryshojnë brenda subjekteve në koalicion.

Përkundër përsëritjes disa herë nga drejtori i DKA-së, Skënder Susuri se ecuria e përzgjedhjes së drejtorëve ka qenë e rregullt, Haskuka e anuloi konkursin. Përkundër lavdërimeve për punën e DKA-së, në këtë rast del se kryetari nuk ka përfillur qëndrimet e drejtorit që vjen nga Nisma Socialdemokrate.

Pos, kësaj një sinjal tjetër që gjërat nuk janë mirë në mes të këtyre subjekteve është edhe refuzimi i asamblistëve të Nismës në KK, për të votuar draftin e KAB-it. Një vendim i tillë mund të jetë si kundërpërgjigje për anulimin e konkursit të drejtorëve.

Haziz Hodaj nga LDK, përkundër që tash tha se do ta votojë KAB-in, ai paralajmëroi një qëndrim të kundërt në shtator, kur do të votohet varianti final, në rast se nuk përfshihen propozimet për disa investime në Gjonaj të Hasit.

Por, duket se mospajtime në koalicion ka edhe nga partitë minoritare boshnjake. Përkundër që është në koalicion qeverisës me VV-në, partia (boshnjake) NDS nuk votoi për KAB-in, ndërsa këshilltari i saj Azem Durmishi,  tha se në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh do ta shqyrtojnë edhe qëndrimin e mëtejshëm në koalicion.

Në anën tjetër, KAB-in e votuan përfaqësuesit e VAKAT-it, të cilët janë në opozitë. Kjo dyshohet se është bërë për shkak të disa favoreve personale./gazetaeprizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.