Opozita në Prizren ka kritikuar drejtoreshën komunale për Shëndetësi, Dr. Flaka Siqeca për siç thuhet shkelje të ligjit, për shkak se ajo kishte qenë fizikisht gjatë testit, në konkursin e parafundit për mjekë, derisa Dr. Siqeca, thotë se këtë e ka bërë për të shkak të transparencës, pasi tërë kompetencat bien mbi komisionin përzgjedhës. Opozita kritikon edhe për favorizim të kandidatëve, të cilëve paraprakisht u është dhënë testi, raporton “Gazeta e Prizrenit.net”.
Shefi i grupit të anëtarëve të AAK-së në Kuvendin e Prizrenit, Ilir Baldedaj, ka thënë se drejtoresha ka shkelur ligjin, pasi në seancën e fundit e ka pranuar që ka marrë pjesë në testin me shkrim të konkurrentëve në konkursin e parafundit për mjekë. “Një gjë e tillë është e ndaluar me ligjin për shërbyes civil edhe atë për shërbyes profesional, që ia ndalon të emëruarit politik ndërhyrjen në proceset e konkursit”, ka thënë ai
Në anën tjetër, Siqeca ka thënë se ka qenë në cilësinë e mbikëqyrëses në konkursin e kaluar, se bashku me përfaqësuesin nga sindikata. “Të gjitha procedurat dhe kompetencat bien mbi komisionin përzgjedhës duke u bazuar në udhëzimin administrativ në fuqi”, ka thënë ajo për portalin “Gazeta e Prizrenit.net”. “Mbikëqyrja nga ne dhe sindikata apo shoqëria civile bëhet për qëllime të transparencës”, sqaroi ajo.
Por, Baldedaj, që në qeverisjen e kaluar ka qenë drejtor i Administratës, kritikon të parën e shëndetësisë në Prizren, për shkelje të ligjit, ndërsa thotë se në konkursin e parafundit janë zgjedhur mjekë të preferuar, madje duke ua dhënë paraprakisht testin, të cilin më pas e kishin plotësuar 100 për qind.
“Nëse ka transparencë, atëherë le të vijnë të përzgjedhurit në Ansamble dhe ta provojnë të njëjtin test, që të shihet nëse sërish mund ta bëjnë të njëjtën gjë, meqenëse është e pabesueshme, që në testin e hartuar të arrihet 100 përqindëshi i kërkuar”, ka thënë Baldedaj.
Derisa pyetjes për praninë e saj gjatë testimit të kandidatëve, drejtoresha i është përgjigjur shpejt përmes e-mailit, këtë nuk e ka bërë edhe për atë nëse ka pasur favorizime në përzgjedhjen e kandidatëve. “Gazeta e Prizrenit.net” ka pritur një ditë, por nuk ka pasur përgjigje.
Do theksuar se tashmë pritet edhe përzgjedhja e punëtorëve shëndetësore për 11 pozita të tjera, pasi konkursi i hapur ka përfunduar me 8 maj, në të cilin sipas njoftimin ka një numër të madh aplikuesish. Zyrtarët kanë premtuare se procesi i përzgjedhjes do të jetë transparent, duke përjashtuar ndonjë manipulim./gazetaeprizrenit.net /