24-04-2024

Prizren: Aktakuzë ndaj inspektorëve që urdhëruan rrënimin e “Abi Çarshia”

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër I.Th., J.V., E.Th., A.T., I.B., dhe Sh.K., në cilësinë e personave zyrtarë, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton Gazeta e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, me datë 19.07.2019  dhe 21.07.2019 në Prizren në objektin ”Abi Çarshia”, të akuzuarit I.Th., në cilësinë e drejtorit të Inspektorateve, J.V., dhe E.Th., inspektore të ndërtimtarisë, A.T., dhe I.B., zyrtarë në Drejtorinë e Inspektorateve si dhe Sh.K., përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrat apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit për “Abi” ShPK – Prizren, në atë mënyrë që realizojnë rrënimin e aneks objektit “Abi Çarshia” duke ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Në kumtesën e Prokurorisë, thuhet se të akuzuarit, veprojnë në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, në kundërshtim me Udhëzimin administrativ nr.06/19 të datës 12.07.2019, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative si dhe në kundërshtim me vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me të cilat janë anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektorateve Komunale të Ndërtimtarisë në Prizren, duke obliguar organet Komunale të Prizrenit të veprojnë konform ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje si dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Andaj, të akuzuarit duke mos i përfillur vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç’rast gjatë rrënimit, “Abi” ShPK në Prizren i shkaktojnë dëm në shumën prej 69.729.66 euro.

“Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit I.Th., J.V., E.Th., A.T., I.B., dhe Sh.K., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas KPRK-së”, thuhet në kumtesë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihet në barrë. /GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.