24-04-2024

Prizren: Gjykimi për keqpërdorimin e mjeteve për javën e dëshmorit, dëgjohen anëtarët e këshillit organizativ

Bashkë me të, për herë të tretë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, po gjykohen edhe Bekim Thaqi dhe Bedri Çeku.

Ata akuzohen se në periudhën kohore prej 2008-2012, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë realizimit të manifestimit tradicional “Remzi Ademaj”, në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kthimit të rastit dy herë në rigjykim, në seancën e kaluar prokurori Mehdi Sefa, ishte tërhequr nga ndjekja penale për pikën e dytë të aktakuzës ndaj Çoçajt.

E në pikën e dytë të aktakuzës, për të cilën prokurori Sefa, është tërhequr nga ndjekja penale për shkak të parashkrimit absolut, Çoçaj akuzohej se si person zyrtar kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare gjatë periudhës kohore maj-qershor 2009.

“Meqë kjo vepër është e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vite, atëherë në kuptim të nenit 107 paragraf 8, në mënyrë decidive theksohet se ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit”, kishte deklaruar prokurori Sefa.

Sipas tij, pasi nga kjo periudhë kanë kaluar 10 vjet, ka ardhur deri te parashkrimi absolut, i veprës penale, duke shtuar se do të vazhdojë gjykimi sa i përket dispozitivit të tretë, katërt e pestë të aktakuzës.

Ndërkohë, në seancën e së premtes, për shkaqe shëndetësore nuk ka prezantuar përfaqësuesi i të pandehurit Nexhat Çoçaj, avokati Bashkim Nevzati.

Çoçaj i ka kërkuar gjykatës që t’i angazhojë një mbrojtës tjetër sipas detyrës zyrtare, ngase për shkaqe financiare nuk ka mundësi që ta paguajë privatisht.

Pas kthimit të rastit dy herë në rigjykim, janë dëgjuar përsëri dëshmitarët Alidin Flugaj, Dashmir Susuri, Mehmet Shala, Isa Osmankaj dhe Visar Islamaj.

Në shqyrtimin  e së premtes, ka dhënë dëshminë e tij për të treten herë dëshmitari Dashmir Susuri.

Ai ka deklaruar se ka qenë anëtar i këshillit organizativ në manifestimin e mbajtur në vitet 2010-2011, për nder të Remzi Ademajt.

Ai ka deklaruar se ketë ngjarje e organizon komuna, ndërsa sa i përket asaj se a ka pasur të shpallur ndonjë tender për organizimin e saj, ai ka thënë se nuk i kujtohet dhe nuk e din.

Ndërsa, dëshmitari tjetër Mehmet Shala, i cili gjatë kohës kur ka ndodhur ngjarja ka qenë gjithashtu anëtar i këshillit organizativ për 4-5 vjet, ka deklaruar se në fund të secilit manifestim, për shkollat pjesëmarrëse gjithmonë janë ndarë çmime, të cilat janë dhënë nga kryetari i komunës.

Shala ka thënë se gjatë këtij organizimi janë shpërndarë shumë libra, të cilat atij nuk i kujtohet se ku janë blerë.

Ai ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë deklaratës që ka dhënë para  trupit gjykues, më 29 shkurt 2016.

Me ketë rast, prokurori Mehdi Sefaj, i ka kujtuar atij se në atë shqyrtim ai ka deklaruar se me libra ata janë furnizuar nga firma “Bogdani”, që sipas aktakuzës, i përket këtu të pandehurit Çoçaj.

Dëshmitari Shala, ka deklaruar se ka kaluar shumë kohë, prandaj edhe tani nuk mund t’i kujtojë gjërat në mënyrë precize, mirëpo ka shtuar se mbetet pranë asaj që ka thënë atëherë.

Ne seancën e mbajtur të premten, ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin edhe dëshmitari Isa Osmankaj.

Osmankaj, i cili në kohën kur ka ndodhur rasti, ka qenë shef i zyrës së prokurimit, ka deklaruar se Ligji për Prokurim Publik nuk parasheh ndarjen e subvencioneve për aktivitete të caktuara, qoftë kulturore, sportive, apo artistike.

Në pyetjen e prokurorit Mejdi Sefa, se a janë paratë të cilat ndahen nga subvencionet, taksat e qytetarëve, Osmankaj ka thënë se po.

“Të gjitha mjetet me të cilat disponon Komuna e Prizrenit të ndara në drejtori të caktuara janë mjete të grumbulluara nga taksapaguesit e Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmankaj.

Kurse, dëshmitari Visar Islamaj, ka deklaruar se qëndron prapa deklaratës së dhënë në shqyrtimin e 29  shkurtit 2016.

Ai ka thënë se në Komunën e Prizrenit, çdo vit organizohet tradicionalisht “Java Remzi Ademaj”, mirëpo se kush e organizon ketë eveniment, ai ka thënë se nuk e din.

Ndërkaq, në këtë seancë nuk ka prezantuar përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, për të cilin gjykata ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo i njëjti mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Ajser Skenderi, seancën e radhës për ketë rast e ka caktuar për 24 dhe 28 janar 2020, në orën 13:15.

Ndryshe, në qershor të vitit 2016,  i akuzuari Çoçaj ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, Thaqi ishte dënuar me një vit e dy muaj burgim, ndërsa Çeku ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.

Më 27 shtator 2016, Apeli kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe kishte kthyer lëndën në shkallën e parë për rivendosje.

Sipas Apelit, për tejkalimet e buxhetit duhet të sqarohet nëse janë përgjegjës të akuzuarit në fjalë apo zyrtarët komunalë që i kanë lëshuar mjetet.

Kjo gjykatë, gjithashtu kishte kërkuar që të përcaktohet se sa është tejkalimi i buxhetit, a është shkaktuar dëm, kujt i është shkaktuar dhe kush është përgjegjës, sepse nëse mjetet shtesë janë lejuar atëherë përgjegjësia është te zyrtarët komunalë.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prizren, më 19 nëntor 2018, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut.

E më pas, më 15 gusht 2019, Apeli kishte aprovuar kërkesën e prokurorisë dhe kishte kthyer lëndën në rigjykim për të dytën herë.

Gjykata e Apelit, kishte kërkuar që në rigjykim, gjykata t’i administrojë edhe njëherë të gjitha provat në këtë çështje penale dhe të bëjë vlerësimin e provave të administruara.

Gjithashtu, gjykata e shkallës së dytë, kishte kërkuar që të dëgjohet edhe njëherë përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, lidhur me faktin se sa ka qenë dëmi në këtë rast.

Apeli kishte kërkuar që edhe njëherë të dëgjohen ekspertët që kanë bërë super ekspertizën në këtë rast.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, të cilët i akuzon se duke qenë drejtorë të manifestimit kulturor “Remzi Ademaj”, kanë keqpërdorur mjetet e ndara për këtë manifestim.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjera, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Nexhat Çoçaj, po ashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ, ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria e tij, pa iu ditur destinacioni, duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.