Prizren: Aktakuzë për sulm seksual ndaj një të mituri

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka ngritur aktakuzë kundër F.J., i cili gjendet në paraburgim nga data 27.08.2019, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulmi seksual”.

Sipas aktakuzës, “i pandehuri F.J., me datë 24.08.2019, në intervalin kohor 13:18-13:25, në rrugën “Remzi Ademaj”, saktësisht nën “Urën e Gurit” në Prizren, prek personin tjetër me qëllim seksual, dhe atë fëmijën E.K., duke e ditur që i njëjti është posaçërisht i ndjeshëm për shkak të moshës, në atë mënyrë që pasi e sheh të njëjtin tek “Ura e Gurit”, për ta joshur e thërret që t’ia blejë një pije dhe pasi ia blen pijen, kërkon që të shkojnë nën urë duke i thënë se aty është më freskët, ashtu që së bashku me fëmijën – të dëmtuarin – shkojnë në pjesën e nën urës, aty ia zhvesh pantallonat dhe fillon ta prekë me qëllim seksual”.

Në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizreni, thuhet se me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri F.J., ka përmbushur elementet e veprës penale ‘Sulmi seksual’ sipas KPRK-së”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë./GazetaePrizrenit.net