21-12-2024

Prizren: ALG “Loyola-Gymnasium”, hap Shkollën e Lartë Profesionale

Pas largimit të KFOR-it gjerman nga kampi në Prizren, e tërë hapësira dhe infrastruktura e atjeshme do të shërbejë si park inovativ dhe trajnues kosovaro- gjerman. Pra, do të jetë një vend ku do të përqendrohen institucione shkollore dhe edukative, të cilat do të përgatisin kuadro të reja, të gatshme për tregun e punës. Tashmë është bërë projekti i fizibilitetit nga përfaqësuesit e GIZ-it gjerman, kurse në tërë këtë projekt një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe ALG “Loyola- Gymnasium”, duke ofruar përvojën, dijen dhe kapacitetet menaxheriale.

“ALG synon që deri në vjeshtën e vitit 2019, të hapë një qendër trajnimi gjithëpërfshirëse dhe një shkollë të lartë profesionale, që kështu, në bashkëpunim me ndërmarrjet e sektorit privat, të ofrojë një arsim profesional dual për profilin e mekatronikës. Lidhur me këtë, tashmë janë krijuar kontaktet e nevojshme me Odën Ekonomike Gjermano- Kosovare si dhe me ndërmarrjet e interesuara. Ky profil do t’u ofrohet të gjithë maturantëve, jo vetëm atyre që e përfundojnë gjimnazin “Loyola”, por edhe maturantëve të shkollave tjera, ku do të ketë lëndë nga ekonomia, marketingu dhe menaxhimi i resurseve humane, për të ofruar impulse të larta për t’u zhvilluar në një periudhë të mëvonshme edhe si profil i pavarur biznesor”,- thotë drejtori i gjimnazit “Loyola”, në Prizren, dr. Axel Bödefeld.

“Qëllimi ynë është që të rinjve kosovarë t’u ofrojmë një mundësi shkollimi dhe punësimi këtu në Kosovë, për të pasur mundësi ndërtimin e vendit dhe krijimin e kuadrove profesionale për të cilat Kosova shumë shpejt do të ketë nevojë. Maturantëve të rinj dhe të kualifikuar, ky profil do t’u ofrojë perspektivë në vendin e tyre, ndërsa në planin afatmesëm edhe nxitje për ndërtimin e bizneseve të mesme”,- shton Bödefeld. Sipas tij, hapësira e kampit të KFOR-it gjerman është shumë e përshtatshme, sepse ndodhet në mes të objekteve të tjera të ALG-së, duke qenë më së miri i pajisur dhe ofron kushte optimale me salla të makinave, salla të mësimit dhe mundësi akomodimi, e që mund të shërbente lehtë edhe si shkollë me konvikt.

Hapja e shkollës profesionale “Loyola” do të jetë një rast i jashtëzakonshëm dhe një mundësi e veçantë për shkollimin profesional në Kosovë, duke u mbështetur në përvojën e sistemit të tillë në Gjermani, kurse në anën tjetër, “Loyola” do të arrijë që të rinjve kosovarë t’u mundësojë një shkollim komplet, duke filluar nga cikli fillor e deri te shkollimi i lartë.

Në një afat të shkurtër, parashikohet një bashkëpunim i mëtejmë në mes ALG “Loyola-Gymnasium” dhe kompanive gjermane e kosovare, që të rinjve të cilët e përfundojnë këtë sistem shkollimi t’u hapet edhe një perspektivë punësimi. Lidhur me këtë, ALG ka vënë kontaktet dhe po punon intensivisht që ky projekt të realizohet, falë edhe bashkëpunimit dhe ndihmës së Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Ambasadës së Kosovës në Berlin, MASHT-it, Komunës së Prizrenit, GIZ-YES, KFOR-it, FSK-së, ICK- së, ZfA-së, BIBB, AHK- Shkup, IHK- Hannover dhe Renovabis.

Komento