Prizren: Apeli vërteton dënimin me gjobë ndaj ish-inspektorit të Komunës
Gjykata e Apelit në Prishtinë më 4 maj të këtij vitit ka marr vendim përmes të cilit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, ku Avdulla Gashi në cilësi të ish-inspektorit të ujërave në Prizren ishte dënuar me 2 mijë euro gjobë për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Paraprakisht me 28 prill Apeli kishte mbajtur seancë në të cilën ishte elaboruar ankesa e mbrojtësit të Gashit, avokati Sylë Hoxha i dhe ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas seancës Apeli ka marr vendim ku i ka hedhur si të pabaza ankesën e avokatit Hoxha si dhe atë të Prokurorisë Themelore në Prizren, duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Themelores në Prizren.
Sipas vlerësimit të Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë, drejtë dhe në mënyrë të plotë ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, duke marrë për bazë edhe rrethanat rënduese dhe ato lehtësuese.
Tutje, sipas Apelit gjykata e shkallës së parë si rrethanë rënduese ka marrë parasysh shkallën e përgjegjësisë penale, shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale kurse si rrethanë lehtësuese ka marrë për bazë se i akuzuari Gashi është pensionist.
Gjithashtu Apeli ka sqaruar se marrë parasysh të gjitha rrethanat e konstatuara konkretisht mënyrën se si është kryer vepra penale, intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore del se aktgjykimi i shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, 24 dhjetor 2021, të akuzuarin Gashi e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim, por Gjykata Supreme, më 12 shtator 2022, e kishte kthyer çështjen në rigjykim me aprovimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokat Rexhep Hasani, me pretendimet se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës penale, duke tejkaluar aktakuzën me të cilën i kishte shtuar edhe një vepër tjetër penale dhe se për këtë Prokuroria nuk e kishte bërë precizimin e aktakuzës e as zgjerimin e saj.
Kurse, Gjykata Themelore në Prizren më 29 dhjetor 2022 pas kthimit të rastit në rigjykim, Gashin e kishte dënuar me 2 mijë euro gjobë për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 22 gusht 2019, Avdullah Gashi akuzohej se më 3 tetor 2017, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe nenin 12, pika 1.3 të udhëzimit administrativ, nr. 04/2016, për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të rrjedhave dhe akumulacioneve, dhe pa fakte konstaton në procesverbal se investitori Hashim Kryeziu ka respektuar pikat kadastrale.
Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij konstatimi në procesverbal, investitorit Hashim Kryeziu, i është mundësuar ndërtimi i objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 84 m2, të pasurisë shoqërore.
Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi
.Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Lexo edhe: