16-09-2021

Prizren: Aprovohet kërkesa e Prokurorisë që të ridëgjohet dëshmitari në rastin ku ish-inspektori po akuzohet për korrupsion

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e prokurorisë që të ridëgjohet dëshmitari Fahil Hoxha në rastin ku ish-inspektori i Ndërtimtarisë, Nexhmedin Musliu po akuzohet për korrupsion pasi nuk e ka ndaluar një ndërtim që ka tejkaluar lejen.

Kërkesa e Prokurorisë është aprovuar pas pranimit të dokumentacionit lidhur me pranim dorëzimin e lëndëve pranë Drejtorisë së Inspektorateve, sektori i ndërtimtarisë,

Prokurorja Ervehe Gashi tha se nga shkresat e datës 5 korrik 2021, të nënshkruara nga Fahil Hoxha koordinator i Drejtorisë së Inspektorateve dhe Edon Muqaj, drejtor, rezulton se Komuna e Prizrenit, respektivisht sekretariati i kësaj drejtorie nuk ka procesverbal për pranimin dhe dorëzimin e lëndëve ashtu siç ka deklaruar dëshmitari Hoxha.

Sipas saj, dokumentet zyrtare kanë ardhur prej Komunës së Prizrenit shihet se shkresën e ka nënshkruar edhe dëshmitari Hoxha, për të cilin ka thënë duhet të ftohet edhe një herë të dëshmojë.

Më pas kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi, ka aprovuar kërkesën e prokurores Gashi për ridëgjimin e dëshmitarit Hoxha, si dhe kërkesën e mbrojtjes për dëgjimin e ish-inspektorit të ndërtimit Bashkim Krasniqi në cilësi të dëshmitarit.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarit Musliu, avokatët Blend dhe Gent Gjini, kanë kundërshtuar propozimin e prokurores Gashi.

Sipas avokatit Gent Gjini, dokumenti zyrtarë i siguruar nga gjykata nuk përkon me propozimin të cilin e ka parashtruar mbrojtja.

Ai i ka propozuar gjykatës që  dokumentin e siguruar të mos e administroj si provë me arsyetimin se periudha kohore në dokumentin zyrtarë të Drejtorisë së inspektorateve ka datë tjetër, me dispozitivin e aktakuzës.

Po ashtu edhe i akuzuari Musliu e ka kundërshtuar administrimin e këtij dokumenti si provë.

“Dokumenti i siguruar nga Drejtoria e Inspektorateve fletë për një objekt tjetër të Mehmet Palushit, për një kohë tjetër, do të thotë prej 23 maj 2016, ndërsa unë jam i akuzuar për një objekt tjetër” tha i akuzuari Musliu.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua me 27 gusht 2021 me fillim në ora 09:00.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej datës 21 nëntor 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mos pagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ai është i përfshirë edhe në disa raste të tjera në procese gjyqësore që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.