Prizren: Arrestohen dy zyrtarë policorë dhe dy persona të tjerë, dyshohet në korrupsion dhe fajde

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se janë arrestuar katër persona të cilët po dyshohen për vepra penale të korrupsionit dhe fajde.

Dy nga të arrestuarit, sipas njoftimit të Prokurorisë, janë zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin se, pas zbatimit të hetimit penal të filluar në korrik të vitit 2020 në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IKP), ku në bazë të rezultateve të hetimit sot me datë 15 qershor 2021, janë arrestuar katër persona, dy prej tyre persona zyrtarë – pjesëtarë të Policisë së Kosovës, si dhe dy qytetarë të Republikës së Kosovës.” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Sipas komunikatës, të arrestuarit janë personi me inicialet, N.K., i cili dyshohet për tri vepra  penale, “Fajdeja”, “Detyrimi” dhe “Dhënia e ryshfetit”.

I dyshuari tjetër, I.F., është arrestuar për shkak të dyshimeve se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, kurse i dyshuari K.G është arrestuar për shkak se po dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, personi me inicialet A.K., po dyshohet për shkak të veprës penale “Mashtrimi”.

“Të njëjtit me urdhër të prokurorit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve, dhe për të njëjtit Prokuroria Themelore në Prizren, do të vazhdoj me veprime të tjera procedurale. Gjithashtu, Prokurori i Shtetit pranë Gjykatës Themelore në Prizren, ka parashtruar kërkesën për sekuestrimin e përkohshëm të dy automjeteve si dhe të disa dokumenteve të rëndësishme lidhur me hetimin e kësaj çështjeje penale.” – përfundon komunikata e Prokurorisë./BetimipërDrejtësi