24-04-2024

Prizren: Rigjykimi me përmirësim të aktakuzës, deklarohet i pafajshëm i akuzuari për detyrim

Pasi rasti ndaj Vullnet Hoxhajt është kthyer përsëri në rigjykim dhe është bërë përmirësimi i aktakuzës, ai është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të detyrimit.

Në seancën e mbajtur të martën, fillimisht prokurori Ramadan Koro lexoi aktakuzën, duke theksuar se është bërë përmirësimi i saj sipas udhëzimeve të bëra nga Gjykata e Apelit. Ai tha se Hoxhaj tashmë nuk akuzohet për veprën penale të grabitjes, por për atë të detyrimit.

Pas kësaj, i akuzuari Hoxhaj u deklarua i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësja Vjollca Buzhala e ka njoftuar atë dhe mbrojtësen e tij, avokaten Myrvete Qollaku, lidhur me të drejtën për kundërshtimin e aktakuzës dhe provave.

Seanca e radhës u caktua për 22 korrik 2021, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së përmirësuar të Prokurorisë Themelore në Prizren, Vullnet Hoxhaj akuzohet se më 14 nëntor 2015, rreth orës 17:00, në afërsi të bazenit “T&A” në Prizren, duke përdorur forcën dhe duke kanosur të dëmtuarin Basri Kryeziu, ka përvetësuar pasurinë e këtij të fundit, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme.

Siç thuhet në aktakuzë, ai kishte kontaktuar me të dëmtuarin Basri Kryeziu dhe e kishte ftuar për të biseduar në picerinë “Abi”. Pas takimit të tyre në atë vend, thuhet se i akuzuari del së bashku me të dëmtuarin kinse për të shkuar në shtëpinë ku Kryeziu kishte punuar një fontanë dhe me automjetin e këtij të fundit, të tipit “Pikap”, vazhdojnë rrugën deri në afërsi të bazenit të lartpërmendur. Sipas aktit akuzues, aty i akuzuari e ka kanosur seriozisht të dëmtuarin dhe ka përdorë forcë ndaj tij, duke i shkaktuar lëndime të lehtë trupore, ku dhe ia merr shumën prej 2,500 euro dhe del nga automjeti e largohet në drejtim të panjohur.

Tutje sipas aktakuzës, i dëmtuari Kryeziu shkon në stacionin policor për ta lajmëruar rastin, ku gjatë kohës sa ishte duke u intervistuar aty, e thërret në telefon i akuzuari Hoxhaj dhe lënë takim në afërsi të picerisë “Abi”. Pasi të njëjtit takohen, thuhet se kur i akuzuari hyp për të kërkuar para në automjetin e të dëmtuarit, ai arrestohet nga ana e policisë, pasi këta të fundit kishin qenë duke vrojtua rastin në pjesën e prapme të automjetit.

Më këtë, Vullnet Hoxhaj akuzohet se ka kryer veprën penale “detyrimi” nga neni 340, paragrafi 1 i Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Historiku i rastit:

Gjykata Themelore në Prizren, në qershor të vitit 2016, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Vullnet Hoxhaj për veprën penale të grabitjes dhe atë të armëmbajtjes pa leje, duke e dënuar me tre vjet burgim efektiv dhe 3,500 euro gjobë.

Por të pakënaqur me këtë aktgjykim, ankesë kishin ushtruar Prokuroria Themelore në Prizren dhe mbrojtësja e Hoxhajt, avokatja Myrvete Qollaku.

Lidhur me pretendimet ankimore të prokurorisë dhe mbrojtjes, Gjykata e Apelit, në shkurt 2017, kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, duke e kthyer lëndën në rigjykim.

Kjo me konstatimin se gjykata e shkallës së parë nuk kishte arritur të vërtetojë drejtë dhe saktë gjendjen faktike për të cilën e ka dënuar Hoxhajn.

Gjykata Themelore në Prizren, pas kthimit në rigjykim, sërish kishte marr aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Hoxhaj, të cilin e kishte dënuar me tre vjet burgim dhe 3,300 euro gjobë.

Ajo kishte bërë edhe ricilësimin e kësaj vepre penale, ashtu që e kishte shpallur fajtor për veprën penale të grabitjes nga neni nenit 329, paragrafi 1, vepër e cila dënohet nga 3 deri në 12 vite burgim dhe jo siç kishte qenë më parë, sipas nenit 329, paragrafi 3, i cili nen parasheh dënimin nga 7 deri në 12 vite burgim.

Por, as me këtë aktgjykim nuk kishte qenë e kënaqur Prokuroria Themelore në Prizren, e cila kishte ushtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi.

Në seancën e mbajtur më 7 qershor 2018, ajo kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që të akuzuarit për grabitje e armëmbajtje pa leje t’i shqiptoj një dënim më të ashpër se sa që i ishte shqiptuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë.

Madje, Prokuroria nuk kishte qenë e kënaqur as me ricilësimin juridik të bërë nga gjykata e shkallës së parë.

Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Hoxhaj, avokatja Myrvete Qollaku kishte kërkuar lirimin nga akuza apo kthimin e rastit në rigjykim.

Lidhur me këto pretendime ankimore, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë për sa i përket cilësimit juridik për veprën penale të grabitjes, ashtu që të njëjtën e kishte ricilësuar në vepër penale të detyrimit, duke i shqiptuar të akuzuarit Hoxhaj dënim unik për të dy veprat penale, në dy vjet burgim dhe 2,500 euro gjobë.

Por duke vendosur sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga avokatja Myrvete Qollaku, Gjykata Supreme, me 12 nëntor 2019, e kishte kthyer rastin në rivendosje për sa i përket veprës penale të detyrimit, kurse pjesën që ka të bëj me veprën penale të armëmbajtjes, Supremja e kishte vërtetuar dënimin.

Edhe pas kthimit të rastit në rivendosje nga ana e Supremes, Apeli ka vendosur sërish që të ricilësojë veprën penale të grabitjes në veprën penale të detyrimit, mirëpo, për dallim nga hera e kaluar, kësaj radhe edhe dënimi i shqiptuar ndaj Hoxhajt është më i ulët për gjashtë muaj, apo një vit e gjashtë muaj burgim në krahasim me dy vite sa kishte qenë herën e kaluar.

Po ashtu, krahas dënimit me burg, Hoxhajt i është shqiptuar edhe dënim me të holla në lartësi prej 2,000 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë, gabimisht ka aplikuar dispozitën e ligjit penal ku të akuzuarin e ka shpallur fajtor për vepër penale grabitje nga neni 329 par. 1 të KPK-së, ngase, sipas gjendjes faktike të vërtetuar nga gjykata e shkallës së parë, e të përshkruar më detajisht si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar, me veprimet inkriminuese të akuzuarit Vullnet Hoxhaj, nuk plotësohen elementet e veprës penale të grabitjes nga neni 329 par. 1 të KPK-së, por në rastin konkret kemi të bëjmë me vepër penale të detyrimit nga neni 340 par. 2 të KPK-së”, thuhej në aktgjykimin e Apelit të nxjerrë më 4 janar të vitit 2019.

Sipas Apelit, i akuzuari Vullnet Hoxhaj, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ndaj të dëmtuarit ka përdorur kanosjen serioze, duke i thënë se do t’ia mbys familjen, nëse i dëmtuari nuk vepron në dëm të pasurisë së tij, pra duke ia dorëzuar paratë në shumë prej 2,500 euro, aty për aty, ndërsa në ndërkohë t’ia sjellë edhe shumën tjetër prej 40,000 euro. Prandaj, në bazë të këtyre veprimeve, sipas Apelit nuk mund të bëhet fjalë për vepër penale të grabitjes, por për vepër penale të detyrimit.

Duke e shqyrtuar çështjen përkitazi me vendimin për dënimin, Gjykata e Apelit ka gjetur se pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prizren, se dënimi është i butë, nuk qëndrojnë, ndërsa ato të mbrojtëses së të akuzuarit janë pjesërisht të bazuara.

Sipas vlerësimit të Apelit, shkalla e parë drejtë ka konstatuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin dhe llojin e lartësisë së dënimit, siç janë sjellja korrekte të akuzuarit në gjykatë, se i akuzuari nuk ka qenë i dënuar më parë, se i akuzuari është i moshës së re, mirëpo sipas Apelit, këto rrethana shkalla e parë nuk i ka vlerësuar realisht.

“Duke i pasur parasysh të gjitha këto rrethana, rrethanat e cekura në aktgjykimin e ankimuar, rrethanat e rastit konkret, Gjykata e Apelit, një konstatim të tillë të rrethanave e pranon edhe kjo gjykatë, mirëpo, duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese të cilat i ka konstatuar gjykata e shkallës së pare, për të akuzuarin si dhe njëkohësisht duke marrë parasysh ricilësimin e veprës penale tani nga Gjykata e Apelit, e me këtë dënimi që parashihet për këtë vepër penale – pra dënim më i butë se sa që është paraparë sipas veprës penale të paraparë me aktakuzë, gjegjësisht aktgjyimin e ankimuar, kjo gjykatë vlerëson se edhe me dënimin e shqiptuar më të butë ndaj të akuzuarit, mund të arrihet qëllimi i dënimit”, thuhej në aktgjykimin e Apelit.

Gjykata Supreme, në vitin 2019, sërish ka anuluar aktgjykimin e Apelit, duke aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, të ushtruar nga mbrojtësja e Hoxhajt, avokatja Myrvete Qollaku, me konstatimin se me rastin e vendosjes ka pasur shkelje të ligjshmërisë.

Sipas Supremes, duhet të arsyetohet ricilësimi i veprës penale për të akuzuarin Hoxhaj.

Kështu, Apeli sërish ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim në shkallë të parë.

Më aktakuzën e pandryshuar të Prokurorisë Themelore në Prizren, Vullnet Hoxhaj akuzohet se më 14 nëntor 2015, rreth orës 17:00, ka grabitur me armë zjarri të dëmtuarin Basri Kryeziu, duke ia marrë të njëjtit sasinë e parave prej 2500 euro.

Sipas aktakuzës, i akuzuari e kishte kontaktuar të dëmtuarin për t’ia bërë një “fontanë” në shtëpi, por pasi janë takuar e ka thirrur për ta parë shtëpinë e tij ku duhet të bëhet “fontana”, por më pas të dëmtuarin Kryeziu e ka kërcënuar me armë dhe ia ka marrë 2500 euro.

Aktakuza tutje përshkruan se i dëmtuari ka shkuar në stacionin policor në Prizren, për të raportuar rastin, por i akuzuari Hoxhaj e ka thirrur sërish për të kërkuar një shumë të parave prej 40 mijë euro.

Aty thuhet se policia kishte shkuar së bashku me të dëmtuarin në vendin e takimit dhe kur ishin takuar i akuzuari dhe i dëmtuari, policia kishin reaguar duke e arrestuar të akuzuarin. Më pas, të njëjtit thuhet se i është gjetur edhe një armë zjarri pa leje përkatëse për posedim. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.