Prizren: Arsyetimi i gjykatës për lirimin e policëve që akuzohen se e keqtrajtuan të dëmtuarin

Gjykata Themelore në Prizren, me 13 korrik 2020, pas kthimit të rastit në rigjykim, sërish i kishte shpallur të pafajshëm dy zyrtarët policor, Isak Sopa dhe Arben Kabashi, të akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “lëndimi i lehtë trupor”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Vjollca Buzhala, nuk është provuar se të akuzuarit, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, i kanë tejkaluar autorizimet e tyre.

Përkundrazi, sipas gjyqtares Buzhala, veprimet e zyrtarëve policor kanë qenë proporcionale për ta mbajtur situatën nën kontroll, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se nuk janë krijuar elementet qenësore të veprës penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, pasi që prokuroria nuk ka qenë në gjendje që të ofrojë prova të mjaftueshme që do ta vërtetonin fajësinë e të akuzuarve.

E sipas gjykatës, kjo nga fakti se me asnjë provë bindëse nuk u vërtetua se të akuzuarit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare e kanë keqtrajtuar të dëmtuarin dhe i kanë shkaktuar lëndim të lehtë trupor.

Kjo gjykatë gjendjen e këtillë faktike thuhet se e ka vërtetuar në bazë të deklaratave të mbrojtës së të akuzuarit, të cilave u ka falur besimin e plotë, e të cilat thuhet se janë në përputhje edhe me provat e tjera.

“Deklaratat e të akuzuarve janë vërtetuar në tërësi gjatë shqyrtimit gjyqësor të mëparshëm e aq më tepër gjatë seancave gjyqësore në rigjykim, nga dëgjimi i serishëm i dëshmitarit Mehmet Osmanollaj, edhe njëherë është vërtetuar se gjatë gjithë rrugës për ta dërguar Blerim Gashin në stacionin Alfa nuk ka parë ndonjë përdorim të forcës fizike, përveç se gjatë tërë rrugës biseda mes të dëmtuarit dhe Isakut ka qenë me tone bukur të lartë të dy palëve, sa ju kishte tërhequr edhe vërejtjen. Edhe nga dëshmia e dëshmitarit Fadil Gashi është vërtetuar se kur kishte shkuar në vend të ngjarjes nuk kishte vërejtur ndonjë shenjë në fytyrë ose në trup të dëmtuarit”, thuhet në aktgjykim.

Tutje, sipas gjykatës, deklaratat e të akuzuarve se detyrën e kanë kryer në mbështetje të ligjit dhe rregulloreve të punës janë vërtetuar edhe nga anëtarët e komisionit për shqyrtimin e përdorimit të forcës, toger Lutfi Ukiqi dhe zyrtarja policore, Bukurije Rafuna.

Sipas gjykatës, gjendja faktike është vërtetuar edhe nga eksperti mjekoligjor, Arsim Gërxhaliu.

“Gjykata deklaratave të këtyre dëshmitarëve në tërësi ua fali besimin sepse të njëjtat janë në përputhshmëri të plotë me administrimit e të gjitha shkresave të lëndës, sidomos edhe me provat materiale”, thuhet në aktgjykim.

Kjo gjykatë besimin nuk ia ka falur dëshmitarit- përfaqësuesit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Agron Zekolli, në pjesën e deklaratës ku ka theksuar se gjatë kohës kur është transportuar i dëmtuari me automjetin e policisë deri në stacionin policor “Alfa” është goditur me grushte nga zyrtari policor Isak Sopa, ngase kjo deklaratë sipas gjykatës është në kundërshtim me të gjitha provat e administruara.

“Nga dëshmia e tij, gjykata ka vërtetuar se i njëjti nuk është marrë fare me faktin se nga i kanë marrë lëndimet trupore zyrtarët policorë për të ardhur deri te një vlerësim real i rastit, me arsyetimin se nuk janë kompetent. Sipas gjykatës, një vlerësim i tillë do të vinte deri te përfundimi se çfarë ka qenë dhuna e përdorur nga zyrtarët policorë, a ka qenë e arsyeshme, proporcionale ashtu si ka deklaruar edhe vet përfaqësuesi i IPK-së”, thuhet në vendim të gjykatës.

Tutje, në vendim thuhet se me asnjë provë relevante dhe bindëse nuk është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarve formohen elementet qenësore të veprës penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe atë dashjen si element qenësor i kësaj vepre penale, për të cilat janë akuzuar në bazë të aktakuzës.

Kurse, thuhet se lëndimi i të dëmtuarit ka ardhur si pasojë e rezistencës së tij me rastin e prangosjes- arrestimit nga ana e oficerëve policorë.

“Pra, lëndimi i të dëmtuarit nuk ka qenë pasojë e veprimeve “kundërligjore’ të të akuzuarve, por si rezultat i mosbindjes dhe rezistencës të paarsyeshme të të dëmtuarit lidhur me rastin e arresimit- prangosjes së tij, ku në këtë rast përveç lëndimeve të lehta trupore që i ka pësuar i dëmtuari, lëndime kanë pësuar edhe të akuzuarit”, thuhet në vendim.

Ndryshe, më 13 korrik 2020, pas kthimit të rastit në rigjykim, gjykata i ka shpallur të pafajshëm dy zyrtarët policor, Isak Sopa dhe Arben Kabashi, të akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “lëndimi i lehtë trupor”.

Në shtator të vitit 2018,  të akuzuarit Arben Kabashi e Isak Sopa ishin liruar nga akuza për veprat penale në bashkëkryerje “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “lëndimi i lehtë trupor”.

Mirëpo, më 21 janar 2019, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e prokurorisë dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje në shkallë të parë.

Në vendimin e Apelit thuhej se, gjykata e shkallës së parë duhet t’i eliminoj shkeljet esenciale, t’i administroj edhe një herë provat ekzistuese, t’i eliminoj kontradiktat në ato prova, si dhe të ftoj në cilësi të dëshmitarëve zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës, të cilët kanë vlerësuar përdorimin e forcës ndaj të dëmtuarit.

Ndryshe, me 30 tetor 2017, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë  ndaj Isak Sopës dhe Arben Kabashit, për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare ose autorizimeve publike dhe lëndim të lehtë trupor.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me 8 gusht 2017, rreth orës 21:15 minuta, në afërsi të “Make Pilarit” në Prizren, duke ushtruar detyrën zyrtare, zyrtarë policor, keqtrajtojnë të dëmtuarin Blerim Gashi, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Në aktakuzë thuhet se, të akuzuarit e kanë ndaluar të dëmtuarin, ia kërkojnë dokumentet dhe i shqiptojnë një tiketë për kundërvajtje.

Sipas aktakuzës, pasi që i dëmtuari kërkon sqarim nga të pandehurit, duke iu drejtuar me fjalët “pse po m’i kërkoni prapë dokumentet?”, të pandehurit fillojnë ta godasin me shufër duke e shtrirë për toke, duke e goditur në shpinë, kokë dhe barkë, me ç’rast të njëjtit i shkaktojnë lëndime të lehta trupore. /BetimipërDrejtësi