16-09-2021

Prizren: Burgim me kusht dhe gjobë ndaj të akuzuarit për vjedhjen e një kulete dhe telefoni

Liridon Delija është dënuar me 1 vit burgim me kusht si dhe 500 euro gjobë, pasi pranoi fajësinë se ka vjedhur një kuletë dhe një telefon nga çanta e të dëmtuarës N.N

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Sadije Selmani, të akuzuarit Delija i është shqiptuar burgimi me kusht në kohëzgjatje prej 1 viti, me periudhën e verifikimit prej dy vitesh, brenda të cilës i akuzuari nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale.

Po ashtu, gjykatësja Selmani ka shqiptuar edhe dënim me gjobë në lartësi prej 500 euro, të cilën i akuzuari Delija është obliguar që ta paguajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit,

I njëjti gjithashtu obligohet që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 20 euro, si dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Ndryshe, në fillim të seancës, i akuzuari Delija ka pranuar fajësinë.

“Ndjej keqardhje për rastin e ndodhur, jam i penduar thellë. Premtoj se në të ardhmen nuk do të bie në kundërshtim me ligjin”, deklaroi Delija.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurori Labinot Jetishi dhe më pas u aprovua nga gjykatësja Selmani.

Aktakuza e ngritur më 19 korrik të këtij viti nga Prokuroria Themelore në Prizren e ngarkon Liridon Delijan se më 11 korrik 2021 rreth orës 20:55, me dashje dhe me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm, gjersa e dëmtuara N.N ishte duke ecur afër lokalit “ Gorenje” i pandehuri ka futur duart në çantën e të dëmtuarës dhe prej aty merr një portofol në të cilën  ka pasur para në shumën prej 58 euro si dhe një telefon të markës “ Samsung Gold”.

I akuzuari pasi kishte vjedhur portofolin nga çanta, ikë me shpejtësi mirëpo haset nga qytetarët.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja” nga neni 313 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës, ku dënimi parashihet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.