Prizren: Caktohet ekspertizë e ndërtimtarisë dhe gjeodezisë në rastin e një objekti afaristo-banesor
Gjykata Themelore në Prizren, të martën, sipas kërkesës së paditësit Adem Homaj, ka caktuar të bëhet ekspertiza nga lëmi i ndërtimtarisë dhe gjeodezisë, për të përcaktuar distancën në mes pronës së paditësit dhe objektit në ndërtim të të paditurit “Euro Invest”.
Paditësi Homaj, pretendon se kompania “Euro Invest” me rastin e ndërtimit të një objekti afarist-banesor po e pengon atë të shfrytëzojë lirshëm pronën e tij që gjendet në kufi me objektin e ndërtimit.
I autorizuari i paditësit, avokati Esat Gutaj, gjatë seancës gjyqësore të së martës, ka thënë se për të përcaktuar në mënyrë të saktë gjendjen faktike në terren, duhet të bëhet ekspertiza e ndërtimtarisë dhe gjeodezisë.
Një propozim të tillë e ka kundërshtuar i autorizuari i të paditurës, avokati Bajram Morina, i cili ka thënë se me provat që gjenden në shkresat e lëndës, mund të vërtetohet nëse klienti i tij ka kaluar lejen e ndërtimit pasi që gjendet një procesverbal i inspektimit, i cili, sipas tij, thotë se nuk ka pasur tejkalime në ndërtim nga leja e ndërtimit.
Avokati Bajrami ka kundërshtuar në tërësi padinë e paditësit, duke thënë se “Euro Invest” nuk ka penguar në asnjë mënyrë paditësin në shfrytëzimin e pronës dhe se as nuk do ta bëjë në të ardhmen sepse objekti po ndërtohet brenda vijës ndërtimore të lejuar me lejen për ndërtim.
Pas dëgjimit të pretendimeve nga palët ndërgjyqëse, gjyqtari Berisha, ka përfunduar shqyrtimin përgatitor, ndërsa shqyrtimin kryesor e ka caktuar për 13 qershor 2018, prej orës 09:30.
Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të padisë së ushtruar nga Adem Homaj kundër të paditurës “Euro Invest” me të cilën kërkon nga gjykata që ta vërtetojë ekzistimin e pengim posedimit dhe të detyrojë investitorin që të ndalojë punimet në drejtim të pronës së paditësit.
Po ashtu së bashku me padi është kërkuar që gjykata të vendosë masën e sigurisë së ndalimit të punimeve deri sa të vendoset lidhur me çështjen kryesore, sipas së cilës kërkesë gjykata ka vendosur masën e sigurisë për të ndaluar punimet në drejtim të pronës së paditësit deri në vendosjen e çështjes kontestuese.