Haskuka paralajmëron bërjen e shkollave me psikolog

Ndonëse kanë kaluar katër ditë pas rastit të fundit, dhe më shumë se 10 nga rasti i parë i vetëvrasjes së nxënëseve të shkollës së mjekësisë, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, që njëherësh është  edhe doktor i psikologjisë, në faqen e tij të “facebookut” ka shkruar për faktorët që ndikojnë në fenomenin e vetëvrasjeve.

 

Pas një analize të bërë nga aspekti i psikologjisë, Haskuka ka treguar se çfarë është ndërmarrë pas rastit të dytë, duke thënë se me drejtorin e Arsimit ka biseduar për hapat që mund të merren, janë mbajtur takime me drejtoreshën e shkollës, mësimdhënësit dhe përfaqësuesit e prindërve, për të analizuar gjendjen. Nga mësimdhënësit është kërkuar të jenë më vigjilent dhe të kujdesen për raste kur ata kanë dyshime.

 

“Kemi vërejtur,  që shkolla ku kanë vijuar mësimin adoleshentët fatkeqësisht ka shumë probleme. Klasa ku kanë qenë ato i ka pasur 46 nxënës, gjersa sipas rregulloreve optimalja e nxënësve duhet të jetë 28 e maksimumi 32 nxënës. Pra 18 nxënës më shumë së numri i paraparë. Në këto raste mësimdhënësit nuk mund të jenë efektiv, nuk kanë kohë që të merren me të gjithë nxënësit dhe mentorimi dhe monitorimi është i pamundur”, ka shkruar ai.

 

Ndër tjera Haskuka, shkruan se në shumë klasa në shkollë kemi nxënës që janë shumë të suksesshëm dhe nxënës shumë të dobët, kjo tregon që kemi dy grupe nxënësish, ata që janë pranuar me provime, kritere dhe ata që janë pranuar me nepotizëm.

 

“Së fundi në shkollë nuk ka asnjë psikolog që mund të dëgjoj problemet dhe mund të ofroj ndihmë apo merret me problemet e nxënësve. Të gjitha këto do t’i ndryshojmë! Për më shumë, brenda kornizave buxhetore do të mundohemi që çdo shkollë të ketë psikolog, do të organizojmë trajnime vetëdijësuese me mësimdhënës për problemet psikologjike, si dhe për metodologji për komunikim më të mirë me nxënësit”, ka shkruar ai.