12-12-2024

Prizren: Ç’deklaroi i akuzuari se në emër të fajdesë ka përfituar mbi 125 mijë euro

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, i akuzuari Arton Hasani është deklaruar i pafajshëm për akuzën e Prokurorisë se nga i dëmtuari K.Sh., në emër të fajdesë ka përfituar 125 mijë e 500 euro.

Hasani po akuzohet se ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit K.Sh. të cilit i kishte dhënë 3 mijë euro borxh për rregullimin e vizës duke ditur se i njëjti nuk ishte në punë si pasojë e pandemisë “COVID-19” dhe në emër të këtij borxhi i dëmtuari K,Sh. nga viti 2020 deri më 22 nëntor 2022 kishte paguar shumën prej 125 mijë e 500 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deklarimin rreth fajësisë, Hasani e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi.

Pas kësaj, gjykatësi i rastit, Artan Sejrani ka udhëzuar të akuzuarin Hasani dhe mbrojtësin e tij, avokatin Metush Biraj që në afat prej 30 ditësh t’i paraqesin gjykatës kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren më 31 gusht 2023, i akuzuari Arton Hasani po ngarkohet se prej fillimit të vitit 2020 e në vazhdim deri më 22 nëntor 2022 në fshatin Randobravë, kontrakton dhe vazhdon të pranojë një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë duke ditur se i dëmtuari K.Sh. e ka gjendjen e rëndë financiare dhe paratë i nevojiten për rregullimin  e vizës së punës, si dhe duke ditur se i dëmtuari nuk është duke punuar si pasojë e pandemisë “COVID-19”.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Hasani fillimisht ia kishte dhënë shumën prej 3 mijë euro me kamatë mujore prej 25%, ku për gjashtë muaj i dëmtuari K.Sh. kishte paguar 750 euro në emër të kamatës. Pas dy muajve, i akuzuari thuhet se i kishte dhënë shumën prej 5 mijë euro me kamatë mujore 15%, ku i dëmtuari për katër muaj kishte paguar 750 euro në emër të kamatës.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas katër muajve përsëri i akuzuari Hasani i jep shumën prej 10 mijë euro borxh dhe se në emër të këtij borxhi për dy muaj i dëmtuari K.Sh. paguan shumën prej 2 mijë e 500 euro në muaj në emër të kamatës.

Tutje, thuhet se i dëmtuari edhe pas dy muajve në pamundësi për të paguar kamatën mujore e as borxhin kryesor, i akuzuari ia jep shumën prej 30 mijë euro, për të cilat në emër të kamatës paguan shumën prej 4 mijë e 500 euro.

Sipas Prokurorisë, i dëmtuari në pamundësi për të paguar kamatën e kontraktuar, i akuzuari ia rrit borxhin kryesor edhe për 20 mijë euro, dhe i njëjti në emër të kamatës për tre muaj paguan 28 mijë euro.

Aktakuza thotë që në shkurt të viti 2022, i akuzuari takohet me të dëmtuarin dhe i jep të nënshkruajë një letër që i dëmtuari i ka borxh shumën prej 68 mijë euro, e për këtë borxh ka paguar në emër të kamatës shumën prej 16 mijë e 750 euro.

“Më datën 22.11.2022 gjatë aplikimit të masave të fshehta i pandehuri i pranon në emër të kamatës edhe 10,000.00 euro nga vëllai i të dëmtuarit, me ç’rast arrestohet në flagrancë e që shuma e përgjithshme e kamatave të paguara për borxhin e marrë është 125,500,00 euro” thuhet në aktakuzë.

Për këto veprime, Hasani po akuzohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.