24-04-2024

Prizren: Çfarë do të ndodhë me zgjedhjen e rektorit të Universitetit Publik?  

Derisa për Këshillin Drejtues (KD) të Universitetit “Ukshin Hoti”, cështja e rektorit është e mbyllur, pasi në këtë pozitë është zgjedhur Ismet Temaj,  njoftohet se kandidati tjetër Ramë Vataj ka bërë ankesë, pas intervistimit në procesin zgjedhor të mbajtur të martën në Universitetin e Prizrenit, transmeton “Gazeta e Prizrenit.net”.

Kryetari i KD-së, Berdi Muhadri ka përsëritur se zgjedhja është mbështetur në Rregulloren mbi punën e KD, Kaputulli X, neni 16, pika 1,2,3 të cilat për shkruajnë procesin e zgjedhje së Rektorit.

“Në bazë të kësaj KD ka bërë zgjedhjen e Rektorit me mandat 4 vjeçar, prof. Ismet Temajn”, ka thënë ai duke sqaruar edhe një herë se zgjedhja ka dalë nga rezultati i votimit të pasuar në rrethin e dytë, ku ka pasur 4 vota për Temajn, dhe asnjë për Vatën.

Në bazë të listës së komisionit profesional të Senatit të UPZ-së në garën e ngushtë për intervistim kanë qenë Ramë Vataj, Ismet Temaj, Bekim Berisha dhe Shkëlqim Millaku.

Për shkak se në rrethin e parë votues asnjëri nga konkurrentët nuk mori 2/3 e votave të nevojshme të 7 anëtarëve sa ka KD, në momentin që ka filluar rrethi i dytë votues, tre anëtarë të KD-së nuk kanë marrë pjesë.

“Ata e kanë bojkotuar rundin e dytë të votimit dhe nuk kanë ardhur në mbledhje, duke thënë se kanë nevojë për konsultime. Ju kam thënë se mund të bëni pak konsultime edhe pse ishim marrë vesh paraprakisht që të mos ketë pauza”, ka sqaruar Muhadri.

Në anën tjetër, njëri prej tre anëtarëve të KD-së, Artan Nimani,  i cili nuk  mori pjesë në rrethin e dytë, procesin  zgjedhor në këtë universitet e ka vlerësuar si të rregullt deri në rrethin e dytë

Siç ka raportuar Gazeta e Prizrenit.net menjëherë pas mbledhjes së KD-së, Nimani e ka kontestuar rrethin e dytë, duke thënë se nuk ka pasur kuorum, pasi sipas tij është dashur të jenë 5 anëtarë e jo 4, sa morën pjesë në votim.

Pas kësaj që ka ndodhur, Muhadri ka thënë se çështja do të sqarohet nga MASHT-i dhe Zyra Ligjore, të cilat sipas tij duhet të vendosin rreth vlefshmërisë së procesit.

Ai tha se KD është duke përgatitur vendimin nga mbledhja, në të cilën Ismet Temaj, ka marrë mandatin e rektorit. “Këtë e ka treguar vullneti i anëtarëve të KD-së dhe kjo tregon për trendin e votës”, ka thënë ai.

Ndryshe, procesi është vëzhguar nga përfaqësuesi i studenteve të këtij universiteti dhe nga përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.